Rama prezanton programin “Dyfisho ndërmarrjen tënde”: Bankat të mbështesin bizneset, ekspertë ndërkombëtarë për projektet
Kryeministri Edi Rama prezantoi programin “Dyfisho ndërmarrjen tënde”, një nismë që synon të mbështesë ndërmarrjet e vogla dhe të mesme për të zgjeruar aktivitetin e tyre, duke theksuar se suksesi i tij do të mbështetet në bashkëpunimin mes qeverisë, Bankës së Shqipërisë, bankave të nivelit të dytë dhe ekspertëve ndërkombëtarë.
Në fjalën e tij, Rama vlerësoi bashkëpunimin me Bankën e Shqipërisë dhe sektorin bankar, duke theksuar se ky ishte një element kyç për ndërtimin e programit.
“Dua ta nis nga sinergjia e krijuar për të arritur në formësimin e këtij produkti të ri për sipërmarrjet. Ka qenë themelore që ne, nga ana jonë, të kishim bashkëpunimin dhe vullnetin e Bankës së Shqipërisë dhe pastaj edhe të bankave të nivelit të dytë, që na kanë garantuar se do të bëjnë pjesën e tyre ashtu siç duhet për suksesin e këtij programi”, tha Rama.
Kryeministri u shpreh kritik ndaj bankave, duke thënë se ato operojnë në një “zonë komforti”, ndërsa theksoi se programi do t’u sjellë atyre përfitime afatgjata përmes rritjes së bizneseve.
“E vërteta është që bankat janë futur në një zonë komforti të jashtëzakonshëm, ndërsa të tjerët luftojnë për të fituar, bankat fitojnë pa luftuar. Gjë që nuk më ka bërë xheloz, por më kërkues ndaj bankave. E vërteta është që nuk dalin me humbje nga ky program, por as me ndonjë fitim të madh. Këtu do të kenë një fitim modest, por fitimi afatgjatë do të jetë i konsiderueshëm, sepse ajo që synojmë është që t’u japim krah ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme që të dyfishohen”, deklaroi ai.
Rama theksoi se qeveria ka angazhuar edhe Programin e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP), i cili do të ofrojë ekspertizë ndërkombëtare për bizneset që kanë ide dhe plane zhvillimi, por u mungon kapaciteti për t’i kthyer ato në projekte të plota.
“Duke qenë se bankat kanë një manual të tërë justifikimesh që i përdorin me efikasitet të lartë dhe një nga këto është se planet e bizneseve të vogla dhe të mesme nuk janë mjaftueshmërisht të arritura, ne kemi angazhuar një forcë tjetër në këtë proces, që është UNDP. Do të angazhojmë ekspertë ndërkombëtarë për të asistuar bizneset që kanë ide interesante dhe një plan të besueshëm, por nuk kanë kapacitetin për ta përkthyer në një projekt bindës”, u shpreh ai.
Sipas kryeministrit, Ministria e Ekonomisë do të koordinojë procesin, ndërsa është krijuar edhe një platformë online ku bizneset mund të aplikojnë, të marrin informacion dhe të komunikojnë drejtpërdrejt me ministrinë përmes një chatbox-i. Gjithashtu, do të organizohen takime në të gjithë vendin për të nxitur pjesëmarrjen e sipërmarrjeve në program.
Në përfundim, Rama falënderoi Ministrinë e Financave, Bankën e Shqipërisë dhe ministrat e përfshirë në hartimin e nismës, duke theksuar se përdorimi i mirë i fondeve publike është ai që bën diferencën në qeverisje.
“Ka qeveri që me lekët tona bëjnë punë të mira, ka qeveri që nuk bëjnë asnjë punë, ose bëjnë punë të këqija. Dua t’i falënderoj edhe ministrat, edhe guvernatorin për këtë projekt”, përfundoi Kryeministri.







