×
Friday, July 17, 2026

Ministrja serbe mbron deklaratën për Kosovën: Ndoshta duhej të kisha thënë “deportim”, jo “spastrim etnik”

July 17, 2026


Ministrja e Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale në Serbi, Snežana Paunoviç, ka reaguar pas valës së kritikave të shkaktuara nga deklarata e saj se, po të kishte qenë në vend të ish-presidentit jugosllav Slobodan Millosheviç në vitin 1998, do ta kishte “spastruar etnikisht Kosovën”. Ajo pretendon se një pjesë e intervistës së saj është nxjerrë jashtë kontekstit, por gjatë sqarimit përsëriti në thelb qëndrimet e shprehura më herët.

Në një intervistë për televizionin serb Prva, Paunoviç tha se vetëm shtatë sekonda nga emisioni i plotë janë përdorur për ta paraqitur sikur ajo mbështet spastrimin etnik.

“Kur nxjerr shtatë sekonda nga një emision i tërë, mund të bësh pikërisht atë që bënë ata”, deklaroi ministrja, duke pretenduar se deklarata e saj u përdor për qëllime politike.

Megjithatë, ajo pranoi se përdorimi i termit “spastrim etnik” mund të ketë qenë i papërshtatshëm dhe tha se ndoshta do të ishte shprehur ndryshe.

“Po, ndoshta do të kisha përdorur termin deportim, vetëm për të shmangur kryqëzimin nga të dyja palët”, u shpreh Paunoviç, duke shtuar se, sipas saj, kishte pasur parasysh largimin e personave që nuk respektonin ligjet dhe jo eliminimin fizik të tyre.

Duke sqaruar deklaratën e saj, ministrja tha se, sipas bindjes së saj, Millosheviçi duhej të kishte larguar ata që nuk respektonin Kushtetutën dhe ligjet e atëhershme të Republikës Federale të Jugosllavisë, ndërsa ndaj personave që ajo i cilësoi si “terroristë” duhej të kishin vepruar institucionet zyrtare të sigurisë.

Deklaratat e saj kanë nxitur reagime të forta edhe në skenën politike serbe. Paunoviç kritikoi nismën e 53 deputetëve të opozitës që kanë kërkuar shkarkimin e saj nga detyra e ministres, duke i akuzuar se po e përdorin çështjen për përfitime politike.

Ajo pretendoi gjithashtu se reagimet kundër saj kanë marrë mbështetje edhe nga Kosova dhe sulmoi ministrin e Brendshëm të Kosovës, Xhelal Sveçla, i cili i ka ndaluar hyrjen në Kosovë. Paunoviç e akuzoi Sveçlën për të kaluarën e tij gjatë luftës në Kosovë, pretendime që ministri kosovar i ka mohuar dhe kundërshtuar vazhdimisht.

Në fund, ministrja serbe tha se është e gatshme të largohet nga posti nëse shumica e qytetarëve të Serbisë e konsiderojnë deklaratën e saj si të dëmshme për vendin.

“Nëse shumica e Serbisë e kërkon këtë, nuk do të kem problem të tërhiqem”, deklaroi Paunoviç.




Comments are closed.