×
Friday, July 17, 2026

Rama: Forcimi i lekut është tregues i rritjes së ekonomisë, jo pasojë e parave të pista

July 17, 2026


Kryeministri Edi Rama deklaroi se forcimi i lekut dhe rënia e euros janë tregues të zhvillimit të ekonomisë shqiptare dhe jo pasojë e qarkullimit të parave të pista, siç pretendohet nga kritikët. Gjatë fjalës së mbajtur në aktivitetin “Dyfisho sipërmarrjen tënde”, kreu i qeverisë tha se ekonomia shqiptare po përfiton nga rritja e investimeve dhe turizmit, ndërsa hodhi poshtë akuzat për ndikimin e ekonomisë informale në kursin e këmbimit.

“Fortësimi i lekut është sukses për ekonominë shqiptare. Është tregues kokëfortë i rritjes së ekonomisë. Në një vend ku hyjnë çdo vit miliarda e miliarda. Të flasësh për narko e gomarllëqe të tilla mund të përkëdhelësh shumë vetë që kanë nevojë për lajme të këqija, por është pa lidhje”, u shpreh Rama.

Kryeministri tha se, nëse pretendimet për ndikimin e parave të pista do të ishin të vërteta, alarmi do të ishte ngritur nga institucionet financiare ndërkombëtare dhe jo nga komentues të ndryshëm.

“Nëse do të ishte e vërtetë, do të ishte një lajm që s’do të vinte nga kanalet e informimit si ata që i bien violinës me vesh, por nga kanale ndërkombëtare financiare që e ndjekin ekonominë tonë me lupë. A ka ekonomi informale në Shqipëri? Sigurisht që ka. Edhe para të pista ka, por ku nuk ka?”, deklaroi ai.

Rama kritikoi ata që, sipas tij, e paraqesin Shqipërinë si një vend të dominuar nga pastrimi i parave, duke theksuar se një perceptim i tillë do të kishte penguar procesin e integrimit europian.

“Është shumë e ligë t’ia veshësh Shqipërisë duke qenë shqiptar këtë lloj kostumi kaq të ndyrë. Nuk e di çfarë janë ata që e bëjnë. Diskutojmë se këtu ka një lavatriçe të madhe parash të pista. Po kush do na linte ne të avanconim për në BE? Vetëm ideja do të na kishte ndaluar dhe do të ishim pre e inspektimeve të thella të BE-së. Sot po lufton sistemi, deri dje nuk e bënte këtë”, tha kryeministri.

Ai u ndal edhe te zhvillimet në tregun e punës, duke thënë se bizneset po ofrojnë paga gjithnjë e më konkurruese për të rikthyer emigrantët shqiptarë.

“Bizneset e tërhoqën shumë litarin me pagat dhe tani janë gati të paguajnë edhe më shumë se në Greqi. Por tani duhet krijuar besimi i shqipove që kanë ikur për të punuar në Greqi. Shqipëria sot nuk jeton më me arritjet, por me pritshmëritë”, u shpreh Rama.

Kreu i qeverisë vlerësoi gjithashtu ndikimin e turizmit në ekonomi, duke theksuar se të ardhurat nga vizitorët e huaj kanë arritur në miliarda euro.

“Kur erdha këtu, te shkallët kishte më shumë njerëz seç jemi këtu në sallë. Ishin të gjithë turistë. Sot sheh më shumë turistë në rrugët e Tiranës. Në qershor kemi pasur një stepje, me rritje prej vetëm 1 përqind. Por e vërteta është se 5.7 miliardë euro hyjnë nga turistët e huaj në vendin tonë”, deklaroi ai.

Në fund, Rama solli si shembull edhe rritjen e trafikut ajror në vend, duke theksuar se Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës ka tejkaluar prej vitesh aeroportin e Beogradit për nga numri i pasagjerëve.

“Fakti që kapen njerëz të përfshirë në rrjete që kanë mundësuar sjelljen e parasë së pisët është një lajm i madh dhe tregues se po goditen nga të gjitha anët. Kemi aeroportin më të madh në rajon, mbi Beogradin prej disa vitesh, pa subvencione. Çfarë parash janë këto? Si të mos forcohet leku pas gjithë këtyre treguesve?”, përfundoi Kryeministri.




Comments are closed.