Franca thërret diplomatin rus, dënon sulmet kibernetike të dyshuara ndaj Parisit
Franca ka thirrur të ngarkuarin me punë në detyrë të Ambasadës së Rusisë në Paris për të dënuar atë që e cilësoi si aktivitete kibernetike të drejtuara nga Rusia kundër institucioneve franceze.
Në një deklaratë zyrtare, Ministria e Jashtme franceze bëri të ditur se diplomati rus u prit nga drejtori për Evropën Kontinentale në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme, ku iu komunikua qëndrimi i Parisit lidhur me sulmet e dyshuara kibernetike.
Sipas autoriteteve franceze, takimi kishte për qëllim t’i përcillte përfaqësuesit rus “dënimin më të fortë” të Francës ndaj aktiviteteve kibernetike që i cilësoi si “dashakeqe”, të cilat dyshohet se janë kryer nga Qendra e 16-të e Shërbimit Federal të Sigurisë së Rusisë (FSB).
Parisi theksoi se këto aktivitete nuk kanë shënjestruar vetëm Francën, por edhe disa prej partnerëve të saj evropianë, duke i konsideruar ato “të papranueshme” dhe “të padenja për një anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së”.
Ministria e Jashtme franceze shtoi se diplomatit rus iu bë e qartë se Franca, në bashkëpunim me aleatët dhe në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, mbetet e vendosur të përdorë të gjitha mjetet në dispozicion për të parandaluar, penguar dhe reaguar ndaj çdo veprimi që e konsideron destabilizues ndaj sigurisë dhe interesave të saj.







