Kryeministri Edi Rama ka publikuar këtë të enjte, 10 shtator, pamje nga mbledhja e zhvilluar një ditë më parë me ministrat dhe drejtuesit politikë të Partisë Socialiste, ku në fokus ishte nisma “Prania Besnike” dhe problematikat e ngritura nga qytetarët gjatë takimeve në terren.
Në videon e shpërndarë nga kreu i qeverisë, përfaqësuesit socialistë raportojnë mbi shqetësimet e evidentuara dhe mënyrën se si ato do të përcillen pranë institucioneve përgjegjëse.
Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Blendi Klosi, deklaroi se tashmë është ngritur një sistem për administrimin dhe përcjelljen e ankesave, ku do të përdoret edhe Inteligjenca Artificiale.
“Kemi një sistem, që e dëgjon ankesën dhe e çon përpara. Inteligjenca Artificiale na jep mundësinë që sapo të shtrohet problemi, të gjenerohet e-maili, që ngarkohet dhe me referencat ligjore, e gjen vetë informacionin se kujt institucioni i dërgohet”, tha Klosi.
Ministri për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, u shpreh se takimet në terren janë pritur pozitivisht dhe se, sipas tij, kanë nisur të shfaqen edhe rezultatet e para të nismës.
“Takimet në terren janë pritur shumë mirë. Plus ne kemi dallëndyshet e para të suksesit. Jam i bindur që nga java në javë do formësojmë më shumë”, deklaroi Demo.
Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, tha se pjesëmarrja e qytetarëve ka qenë më e lartë nga sa kishte parashikuar.
“Realisht nuk prisja që të vinin menjëherë kaq shumë njerëz aq shpejt, por është dëshira për të ardhur, për të folur dhe për të dëgjuar e për të takuar”, u shpreh Kumbaro.
Deputetja Ogerta Manastirliu tha se “Prania Besnike” është një nismë që, sipas saj, qytetarët e kanë pritur dhe ndaj së cilës kanë krijuar pritshmëri.
Ndërkohë, deputetja Belinda Balluku bëri një bilanc të takimeve të zhvilluara deri tani, duke deklaruar se janë administruar 262 ankesa.
“Kemi administruar 262 ankesa deri tani. Kemi bërë 14 dëgjesa, pasi kanë qenë të gjithë deputetët në terren. Kemi takuar rreth 300 qytetarë”, tha Balluku.
Edhe drejtuesi politik i qarkut të Lezhës, Ermal Nufi, raportoi mbi problematikat e evidentuara në këtë zonë. Sipas tij, në Lezhë janë zhvilluar tre takime në kuadër të “Pranisë Besnike” dhe deputetët kanë administruar 34 ankesa.
“Çështjet kryesore lidhen me elektricitetin, rindërtimin, me legalizimet dhe nevoja për të ndërhyrë në infrastrukturë rrugore, kryesisht në rrugë e ura”, deklaroi Nufi.
Deputeti Ulsi Manja tha se përmes këtij formati shqetësimet e qytetarëve mund të mbërrijnë drejtpërdrejt në tavolinën e kryeministrit, ndërsa Bledar Çuçi bëri të ditur se deputetëve u është shpërndarë një formular i unifikuar për mënyrën e administrimit të problematikave.
Në diskutime morën pjesë edhe Arbjan Mazniku, Erion Malaj, Enea Karakaçi dhe përfaqësues të tjerë socialistë. Legalizimet, infrastruktura dhe furnizimi me energji elektrike rezultuan ndër çështjet më të shpeshta të ngritura nga qytetarët.
Në përfundim të mbledhjes, Rama theksoi se takimet e “Pranisë Besnike” zhvillohen pa praninë e kamerave, në mënyrë që qytetarët të mund të flasin lirshëm për problemet e tyre dhe pa u ndjerë në siklet.
“Prania Besnike” është formati përmes të cilit deputetët socialistë zhvillojnë takime në terren për të dëgjuar problematikat e qytetarëve dhe për t’i përcjellë ato më pas për trajtim pranë institucioneve.
Paralelisht me këtë nismë, Rama ka prezantuar edhe platformën “PasqyrëAlbania”, e cila synon të ndryshojë mënyrën e raportimit dhe ndjekjes së problemeve të qytetarëve.
Platforma do të mbështetet te dy komponentë, “Flamingo Albania” dhe “Radar”. I pari do të evidentojë ankesat dhe kërkesat që kanë mbetur pa zgjidhje nga administrata publike dhe do t’ua përcjellë institucioneve përgjegjëse, ndërsa përmes “Radar” qytetarët do të mund të ndjekin në kohë reale institucionin që po trajton çështjen, fazën në të cilën ndodhet dhe ecurinë drejt zgjidhjes.


