Kryeministri Edi Rama ka përsëritur sot ftesën për dialog me protestuesit, duke vendosur sërish përpara Kryeministrisë sofrën prej guri me fletë ku shkruhet “Dialog”.
Ashtu si një ditë më parë, rreth sofrës mungojnë karriget, pas djegies dhe thyerjes së tyre gjatë protestave të mëparshme.
Ftesa vjen pas tubimit të djeshëm në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku u raportua një numër më i ulët pjesëmarrësish dhe nuk u shënuan përplasje me Policinë e Shtetit.
Ndërkohë, Rama ka prezantuar një paketë ligjore kundër dhunës, e cila parashikon ashpërsimin e dënimeve për personat që kryejnë akte të dhunshme gjatë protestave. Sipas propozimit, masa parashikohen edhe për pjesëmarrës që nuk ushtrojnë vetë dhunë, por bëhen pjesë e tubimeve të dhunshme.
Pas mbledhjes së djeshme të grupit parlamentar socialist, Taulant Balla deklaroi se ndryshimet për tubimet do të hyjnë në fuqi menjëherë përmes një akti normativ të qeverisë. Ky është mekanizmi i paralajmëruar nga shumica për zbatimin e masave të propozuara.


