Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për politikën e jashtme, Kaja Kallas, ka paralajmëruar se Ukrainën e pret një “dimër brutal” dhe se nuk ka shenja për një paqe të afërt, pavarësisht përpjekjeve të reja diplomatike të Shteteve të Bashkuara.
Në një konferencë për shtyp të hënën në Paris, Kallas kërkoi vazhdimin e mbështetjes për Kievin, duke argumentuar se veprimet e presidentit rus Vladimir Putin bien ndesh me mundësinë e përparimit në negociata.
“Përpjekja e re diplomatike është aty, por është gjithashtu e qartë se veprimet e Putinit tregojnë një histori tjetër”, deklaroi ajo.
Kallas theksoi nevojën që Ukraina të ndihmohet për t’u rezistuar sulmeve dhe që kostoja e luftës për Rusinë të rritet.
Ajo dhe komisioneri evropian për Mbrojtjen dhe Hapësirën, Andrius Kubilius, morën pjesë në takimin e ministrave të Mbrojtjes të grupit E5, që përfshin Francën, Britaninë e Madhe, Gjermaninë, Poloninë dhe Italinë. Takimi u zhvillua në Ministrinë franceze të Forcave të Armatosura.
Diskutimet u mbajtën ndërsa Uashingtoni po përpiqet të nxisë bisedime mes Ukrainës dhe Rusisë, mes pikëpyetjeve në rritje për vazhdimësinë e mbështetjes amerikane për Kievin.
I dërguari amerikan Steve Witkoff deklaroi javën e kaluar se do t’i propozonte Putinit bisedime të drejtpërdrejta me presidentin Donald Trump dhe presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, me synim arritjen e një armëpushimi.
Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, shprehu skepticizëm për rezultatet e këtyre përpjekjeve.
“Nuk ka asnjë sinjal se Putini po kërkon paqe”, deklaroi ai, duke argumentuar se përpjekjet e deritanishme për negociata nuk kanë sjellë rezultate.
Përfaqësuesi britanik Wes Streeting tha se aleatët nuk kërkojnë përballje me Moskën, por duhet të jenë të vetëdijshëm për kërcënimin që ajo paraqet.
Ndërkohë, ministrja franceze Catherine Vautrin premtoi “transparencë të plotë” me Shtetet e Bashkuara dhe tha se vendet e E5 do të bashkëpunojnë konkretisht për prodhimin e armëve dhe aftësinë e forcave të tyre për të vepruar së bashku.
“Të prodhojmë më shumë, të prodhojmë më shpejt, të prodhojmë pajisje të përshtatshme për konfliktet e sotme, por duhet të planifikojmë që tani edhe për konfliktet e së nesërmes”, deklaroi Vautrin.
Sipas saj, nismat financiare të Bashkimit Evropian mund të ndihmojnë në arritjen e këtyre objektivave.


