Hoxha takon ambasadorët e BE-së: Dialog, por jo me të përfshirët në dhunë

26 Oct 2026 • 19:26
Shpërndaje:

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, u takua sot me ambasadorët e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian në Shqipëri, me të cilët diskutoi zhvillimet e fundit në vend dhe qëndrimin e qeverisë ndaj protestave.

Gjatë takimit, Hoxha theksoi angazhimin për respektimin e lirive demokratike dhe të drejtës për tubim paqësor. Ai nënvizoi se dhuna, vandalizmi dhe sulmet ndaj pronës publike apo private nuk mund të konsiderohen mjete legjitime të shprehjes politike.

Në diskutime u trajtuan edhe ruajtja e stabilitetit institucional, respektimi i shtetit të së drejtës dhe nevoja që të gjitha veprimet e autoriteteve publike të jenë të ligjshme dhe proporcionale.

Reklamë Ola

Ministri rikonfirmoi gatishmërinë e qeverisë për dialog në çdo kohë dhe vend, me këdo që nuk është i përfshirë në akte dhune. Ai e cilësoi dialogun si mënyrën më të mirë për të kapërcyer dallimet dhe për t’u dhënë përgjigje shqetësimeve.

Duke u ndalur te integrimi evropian, Hoxha tha se anëtarësimi në BE mbetet një objektiv strategjik kombëtar.

Reklamë InterMedika

“Momentet e vështira duhet të forcojnë vendosmërinë tonë dhe jo të na shmangin nga reformat, standardet demokratike dhe përgjegjësitë që burojnë nga ambicia jonë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian”, u shpreh ai.

Hoxha vlerësoi gjithashtu shkëmbimin e hapur me ambasadorët dhe angazhimin e partnerëve evropianë në mbështetje të së ardhmes së Shqipërisë në BE.