Izraeli voton, Netanyahu në betejë për mbijetesë politike

27 Oct 2026 • 10:07
Shpërndaje:

Izraelitët po votojnë këtë të martë në zgjedhjet parlamentare, në një garë të ngushtë që do të përcaktojë të ardhmen politike të kryeministrit Benjamin Netanyahu, pas sulmeve të 7 tetorit 2023, luftës në Gaza dhe përballjeve me Iranin.

Sondazhet tregojnë një rezultat të pasigurt mes partisë Likud dhe aleatëve të saj të djathtë, nga njëra anë, dhe bllokut rival të udhëhequr nga ish-shefi i shtabit ushtarak, Gadi Eisenkot, nga ana tjetër.

Rreth 7,3 milionë qytetarë kanë të drejtë vote, përfshirë afro 330 mijë që votojnë për herë të parë. Qendrat e votimit u hapën në orën 07:00 dhe do të mbyllen në orën 22:00, sipas orës lokale.

Reklamë Ola

Netanyahu, udhëheqësi më jetëgjatë i Izraelit me gjithsej 19 vjet në detyrë, e ka mbështetur fushatën te drejtimi i vendit gjatë luftës dhe marrëdhënia me presidentin amerikan Donald Trump.

Të dielën, ai pretendoi se Trump ishte i gatshëm të vepronte sërish për ta hequr “përfundimisht” kërcënimin iranian, por vetëm nëse Netanyahu do të qëndronte në pushtet.

Reklamë InterMedika

Eisenkot e kundërshtoi këtë mesazh, duke e akuzuar kryeministrin për një fushatë të mbështetur te frikësimi, gënjeshtrat dhe kërcënimet. Ai tha se ishte i bindur që presidenti amerikan do të bashkëpunonte me çdo udhëheqës të zgjedhur nga izraelitët.

Asnjëri prej dy blloqeve nuk ka një rrugë të qartë drejt shumicës në Knesset, parlamentin me 120 vende. Nëse nuk arrihet formimi i një koalicioni, Netanyahu mund të vijojë të drejtojë qeverinë në detyrë deri në zgjedhje të tjera.

Për të siguruar shumicën, ai mund të mbështetet përsëri te drejtuesit e ekstremit të djathtë, Itamar Ben-Gvir dhe Bezalel Smotrich. Të dy janë përballur me sanksione nga disa vende perëndimore, të cilat i akuzojnë për nxitje të dhunës ndaj palestinezëve. Ndërkohë, partia e Ben-Gvirit, Fuqia Hebraike, ka shënuar rritje në sondazhe.

Zgjedhjet zhvillohen pas një prej periudhave më të trazuara në historinë e Izraelit. Për shumë kundërshtarë të kryeministrit, votimi lidhet para së gjithash me përgjegjësinë për dështimet e sigurisë që mundësuan sulmet e Hamasit më 7 tetor 2023.

“Gjëja më e rëndësishme është ngritja e një hetimi kombëtar, sepse prej andej do të vijë shërimi ynë”, tha Mali Hajaj, punonjës i Ministrisë së Arsimit dhe mbështetës i Eisenkotit.

Mbështetësit e Netanyahut, megjithatë, mbrojnë drejtimin e tij gjatë konfliktit. Nof Gabay, një votues 18-vjeçar i Likudit, e cilësoi atë “njeriun e duhur për shtetin e Izraelit”.

“Netanyahu e menaxhoi luftën në mënyrën më të mirë të mundshme”, u shpreh ai.

Në sulmet e udhëhequra nga Hamasi më 7 tetor u vranë rreth 1.200 persona dhe u morën peng 251 të tjerë. Sipas autoriteteve shëndetësore të Gazës, ofensiva izraelite që pasoi ka shkaktuar rreth 74 mijë të vrarë dhe ka shkatërruar pjesën më të madhe të territorit.

Izraeli ka goditur gjithashtu Hezbollahun në Liban dhe është përfshirë në përballje të drejtpërdrejta me Iranin, përfshirë fushatën ajrore 12-ditore të vitit 2025 dhe luftën e përbashkët me Shtetet e Bashkuara këtë vit.

Eisenkot ka deklaruar se qeveria e ardhshme duhet ta pengojë Iranin të sigurojë aftësi ushtarake bërthamore, përmes forcës ose një marrëveshjeje diplomatike të mbështetur nga Uashingtoni.

Ai kundërshton zgjidhjen me dy shtete, por ka kritikuar dhunën e kolonëve izraelitë ndaj palestinezëve në Bregun Perëndimor të pushtuar dhe ka përjashtuar bashkëpunimin me Ben-Gvirin dhe Smotrichin.

Një tjetër faktor vendimtar mund të jetë pjesëmarrja e pakicës arabe të Izraelit. Mobilizimi i këtij elektorati mund ta zhvendosë raportin parlamentar në favor të Eisenkotit.

Megjithëse ai ka përjashtuar një partneritet me partitë arabe, analistët shohin mundësinë që ato të mbështesin nga jashtë një qeveri pakice të drejtuar prej tij, për të mundësuar largimin e Netanyahut.

Kryeministri përballet ndërkohë edhe me një proces të gjatë penal për korrupsion, akuza që ai i mohon.

“Pres që të kemi vetëm një shumicë të vogël në të dyja rastet. Asnjë fitore dërrmuese”, vlerësoi analisti politik Amotz Asa-El i Institutit Shalom Hartman.