Stubb: Evropa në një “epokë errësire”, BE-ja mund të arrijë në 40 anëtarë

27 Oct 2026 • 10:11
Shpërndaje:

Presidenti finlandez Alexander Stubb ka paralajmëruar se Evropa po jeton një “epokë errësire”, ndërsa luftërat dhe rivaliteti mes Shteteve të Bashkuara e Kinës po tronditin rendin ndërkombëtar të mbështetur në rregulla.

Gjatë një fjalimi të hënën në Kolegjin e Evropës në Bryzh, Stubb tha se periudha pas Luftës së Ftohtë ka përfunduar. Sipas tij, bota ndodhet në një pikë kthese të krahasueshme me fundin e Luftës së Dytë Botërore më 1945 dhe rënien e komunizmit më 1989.

Duke iu drejtuar studentëve të institucionit ku kishte studiuar vetë në vitet 1990, presidenti finlandez pranoi se, megjithëse priret drejt optimizmit, sot ka shumë arsye për pesimizëm.

Reklamë Ola

“Në njëfarë kuptimi, unë i nisa studimet në një epokë drite, ndërsa ju po i nisni në një epokë errësire”, deklaroi ai.

Stubb tha se bindja se njerëzimi po kapërcente kërcënimet nga sëmundjet, uria dhe luftërat është zbehur.

Reklamë InterMedika

“Dikur mund të thoshim se tre vrasësit më të mëdhenj të njerëzimit, sëmundjet, uria dhe luftërat, ishin mposhtur. Kjo nuk është më e vërtetë. Drita ia ka lënë vendin errësirës”, u shpreh ai.

Sipas vlerësimeve që citoi, në botë po zhvillohen rreth 65 konflikte ose luftëra, më shumë se në çdo periudhë tjetër pas Luftës së Dytë Botërore. Ai paralajmëroi se studentët do të hyjnë në një mjedis ndërkombëtar të dominuar nga konkurrenca e ashpër.

Siguria globale, sipas Stubb, do të varet veçanërisht nga zgjedhjet e Uashingtonit dhe Pekinit.

“A do të zgjedhin bashkëpunimin apo përballjen?”, shtroi ai pyetjen.

Për Evropën, presidenti finlandez e cilësoi përparësi ndërtimin e një strukture sigurie që të pengojë agresione të reja ruse.

“Çështja kryesore për të gjithë ne është të krijojmë një strukturë evropiane sigurie që garanton se Rusia nuk do t’i sulmojë më fqinjët e saj”, deklaroi Stubb.

Ai theksoi se NATO-ja do të mbetet një aleancë jetike, por kërkoi edhe zhvillimin e proceseve të tjera, përfshirë masa për ndërtimin e besimit mes Evropës dhe Rusisë.

Pavarësisht paralajmërimeve, Stubb i nxiti studentët të mos i dorëzohen pesimizmit dhe të punojnë për një “epokë të re drite”.

Në këtë vizion, ai tha se Bashkimi Evropian mund të zgjerohet nga 27 në 40 vende anëtare brenda 30 vjetësh. Mes vendeve që përmendi ishin Ukraina, Moldavia dhe Norvegjia, si dhe Mbretëria e Bashkuar, përmes një rikthimi të mundshëm në Union.