Kryeministri Edi Rama ka përjashtuar mundësinë e dorëheqjes përballë protestave, duke deklaruar se ndryshimi i qeverive në demokraci bëhet përmes zgjedhjeve dhe jo dhunës.
Në një intervistë për gazetën greke “Kathimerini”, Rama tha se synon të përmbushë mandatin e marrë në zgjedhjet e vitit të kaluar.
“Çdokush mund të kërkojë dorëheqjen time; kjo është pjesë e jetës demokratike. Askush nuk ka të drejtë ta imponojë atë me dhunë”, u shpreh ai.
Duke iu përgjigjur kërkesave të protestuesve, kryeministri pranoi se shqetësimet e të rinjve për arsimin, koston e jetesës dhe mungesën e mundësive janë të bazuara dhe kërkojnë përgjigje konkrete.
“Nuk kam pretenduar kurrë se gjithçka në Shqipëri është bërë siç duhet. Nuk mendoj se të rinjtë duhet thjesht të pranojnë atë që kemi arritur deri më sot”, deklaroi Rama.
Ai tha se projektbuxheti i vitit 2027 do të përfshijë masa shtesë për familjet, shërbimet publike dhe studentët. Gjithashtu, përsëriti ftesën për dialog me studentët dhe pedagogët, duke shprehur gatishmërinë për të shqyrtuar propozime edhe nga kritikët e qeverisë.
Rama bëri dallim mes studentëve që kërkojnë një të ardhme më të mirë dhe personave të maskuar që, sipas tij, hedhin bomba molotov dhe sulmojnë pronën publike e private. Ai pretendoi se mes tyre ka edhe individë të lidhur me lëvizjen Antifa.
Për luftën kundër korrupsionit, kryeministri tha se ajo është përgjegjësi e institucioneve të drejtësisë dhe kundërshtoi pretendimin e grupeve që përdorin dhunën për të përfaqësuar një brez të tërë.
“Detyra ime është të dëgjoj ankesat e drejta, të mbroj të drejtat e qytetarëve dhe të vazhdoj punën për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian”, theksoi Rama.


