Kryeministri dhe kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, do të mbledhë këtë të mërkurë në orën 12:00 drejtuesit politikë të PS-së në Vilën e Kuqe në Sauk.
Në fokus të takimit pritet të jenë sërish dy nismat e prezantuara nga Rama, “Besa” dhe “Prania Besnike”, si dhe ecuria e punës së strukturave socialiste në terren.
Mbledhja vjen në vijim të një serie takimesh që kreu i PS-së ka zhvilluar gjatë javëve të fundit me drejtuesit politikë, ministrat dhe deputetët, në kuadër të organizimit të ri të partisë dhe forcimit të komunikimit me qytetarët.
Më 23 gusht, Rama zhvilloi në Pogradec një mbledhje disaorëshe me të deleguarit politikë të PS-së, drejtues të komisioneve parlamentare dhe deputetë. Në qendër të diskutimeve ishin dokumentet “Besa” dhe “Prania Besnike”, si dhe mënyra e re e organizimit dhe komunikimit me qytetarët.
Më 28 gusht, kryeministri mblodhi në Vilën e Kuqe ministrat dhe drejtuesit politikë të qarqeve, ndërsa një ditë më vonë zhvilloi një tjetër takim me të deleguarit politikë të Tiranës dhe deputetët e këtij qarku.
Edhe gjatë mbledhjes së 3 shtatorit me Grupin Parlamentar socialist dhe qeverinë, Rama iu rikthye dy nismave, duke i paraqitur ato si pjesë të një qasjeje të re në marrëdhënien mes qytetarëve dhe institucioneve.
Prej 4 shtatorit ka nisur ndërkohë zbatimi në terren i “Pranisë Besnike”. Sipas skemës së përcaktuar nga Rama, deputetët socialistë zhvillojnë çdo të premte takime me qytetarët për të dëgjuar problematikat e tyre dhe për t’i ndjekur më pas pranë institucioneve përgjegjëse.
Takimi i sotëm në Sauk pritet të përqendrohet te ecuria e këtij procesi, koordinimi mes drejtuesve politikë dhe puna që strukturat e Partisë Socialiste po zhvillojnë në terren.


