Kryeministri Edi Rama ka propozuar një debat të gjerë për kufizimin e aksesit të të miturve në rrjetet sociale, duke hedhur për diskutim pragun e moshës 16 ose 18 vjeç për hapjen e llogarive personale.
Gjatë mbledhjes së Këshillit Kombëtar për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijëve, ai njoftoi konsultime me prindërit dhe mësuesit në të gjitha shkollat. Ende nuk është përcaktuar një kufi përfundimtar moshe.
“Duhet hapur debat se si dhe kur duhet të kufizojmë aksesin në rrjetet sociale të të miturve. Deri në cilin kufi moshe, 16 apo 18 vjeç, në mënyrë që të mos kenë më mundësinë të krijojnë llogari individuale në rrjetet sociale”, deklaroi Rama.
Sipas tij, ndikimi i hapësirës virtuale dhe ekspozimi ndaj modeleve të dhunshme kërkojnë bashkëpunim mes institucioneve, familjeve dhe shkollave.
Qëndrim i zgjatur në shkollë
Rama bëri të ditur se nga viti i ardhshëm shkollor synohet që fëmijët të kenë mundësi të qëndrojnë në shkollë deri në orën 17:00, përmes një programi me buxhet të dedikuar.
“Kemi vendosur dhe një buxhet të posaçëm, në mënyrë që prindërit të vazhdojnë të punojnë dhe fëmijët të jenë në mjediset e shkollës deri në orën 5 pasdite”, tha ai.
Programi synon një ditë më të organizuar për fëmijët gjatë pesë ditëve të javës, me aktivitete edhe pas përfundimit të mësimit.
Kryeministri kërkoi zgjerimin e veprimtarive përtej sportit, duke përfshirë teatrin, pikturën, zejet, filmin dhe fotografinë. Ai ftoi institucionet dhe shoqërinë civile të bashkëpunojnë për krijimin e këtyre mundësive.
Pretendimet për kërcënime ndaj studentëve
Duke folur për klimën e debatit publik, Rama pretendoi se persona me qëndrime të ndryshme nga protestuesit po përballen me presion dhe kërcënime.
Ai tha se kishte marrë dhjetëra mesazhe nga studentë që kërkojnë të mbeten anonimë për shkak të frikës, si dhe nga prindër që shprehin shqetësim për kërcënimet ndaj fëmijëve të tyre.
Rama kërkoi që diskutimet të vijojnë në muajt e ardhshëm, me synim hartimin e një qasjeje të përbashkët për mbrojtjen dhe mirëqenien e fëmijëve.


