Protestat forcojnë Le Pen dhe Mélenchon, qendra franceze në vështirësi

31 Oct 2026 • 00:18
Shpërndaje:

Vala e protestave dhe trazirave në Francë po favorizon Marine Le Pen dhe Jean-Luc Mélenchon në garën presidenciale, ndërsa kandidatët e qendrës dhe qendrës së djathtë rrezikojnë eliminimin që në raundin e parë, raporton POLITICO.

Pesë sondazhe të zhvilluara pas demonstratave të 17 tetorit, përfshirë një të porositur nga POLITICO, tregojnë të njëjtën prirje: kandidatët që synojnë të trashëgojnë elektoratin e presidentit Emmanuel Macron mbeten jashtë balotazhit.

Sipas Gaël Sliman, drejtues i institutit të sondazheve Odoxa, Le Pen po përfiton duke u paraqitur si garantuese e rendit, ndërsa Mélenchon si përfaqësues i lëvizjes protestuese.

Reklamë Ola

Le Pen kryeson me një diferencë dyshifrore, ndërsa Mélenchon duket në pozicionin më të favorshëm për vendin e dytë.

Kandidatët e qendrës mbeten të përçarë

Reklamë InterMedika

Ish-kryeministrat Gabriel Attal dhe Édouard Philippe, ish-ministri i Brendshëm Bruno Retailleau dhe kryebashkiaku i Kanës, David Lisnard, nuk kanë arritur të bashkohen rreth një kandidature apo një përgjigjeje të përbashkët ndaj krizës.

Zyrtarë të fushatave të tyre i thanë POLITICO-s se druhen për pasoja afatgjata nga protestat.

“Nuk mund të jemi më zgjidhja, vetëm problemi”, u shpreh njëri prej tyre, në kushte anonimiteti. Një deputet centrist pranoi se kampit të tij po i mungojnë idetë për të dalë nga situata.

Protestat nisën me kërkesat e nxënësve për kushte më të mira mësimi dhe u zgjeruan me pakënaqësinë për koston e jetesës. Në disa raste ato janë shoqëruar me vandalizëm dhe plaçkitje, veçanërisht më 17 tetor.

Pas trazirave, qeveria dhe kandidatët e qendrës së djathtë akuzuan Mélenchonin dhe partinë e tij, Franca e Panënshtruar, për nxitjen e tensioneve. Megjithatë, sipas sondazheve të cituara, kjo strategji nuk e ka dobësuar ndjeshëm mbështetjen e tij mes të rinjve.

Attal kërkon primare të përbashkëta

Gabriel Attal ka propozuar një proces të gjerë primaresh për zgjedhjen e një kandidati të përbashkët kundër ekstremit të majtë dhe atij të djathtë.

Propozimi u prit me kundërshtime nga kampet rivale. Laurent Marcangeli, drejtues i grupit parlamentar të Horizons, partisë së Philippe, e cilësoi atë “të paqartë dhe të rrezikshëm”.

Attal vijoi ta mbrojë nismën, duke paralajmëruar se një balotazh mes Le Pen dhe Mélenchon do të ishte një “kataklizëm” për Francën.

Ndërkohë, protestat pritet të vijojnë edhe këtë të shtunë, duke shtuar presionin mbi kandidatët përpara zgjedhjeve presidenciale të vitit 2027.