Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, deklaroi se procesi mësimor është kthyer në normalitet në të gjitha shkollat e vendit, përfshirë ato në Tiranë dhe Kamzë, ku ishin evidentuar problematika gjatë dy javëve të fundit.
Ajo foli në mbledhjen e Këshillit Kombëtar për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijëve, duke theksuar përgjegjësinë e përbashkët për sigurinë dhe mirëqenien e nxënësve.
“Përgjegjësia jonë është të sigurohemi që çdo fëmijë të ketë një mjedis ku të ndihet mirë, i sigurt, i dëgjuar, i pranuar dhe i mbështetur”, u shpreh ministrja.
Kumbaro pretendoi se gjatë kësaj periudhe nxënësit janë përballur me presione në rrjetet sociale dhe nga grupe jashtë shkollave për të bojkotuar mësimin dhe për të marrë pjesë në tubime gjatë orarit mësimor.
Sipas saj, në disa raste thirrjet kanë qenë të dhunshme dhe pjesëmarrja është nxitur pa dijeninë e prindërve.
Ministrja tha se këto zhvillime kërkojnë reflektim mbi mënyrën si adoleshentët përballen me presionin e grupit, konfliktin dhe kërcënimet, si dhe mbi aftësinë për të vlerësuar pasojat e veprimeve të tyre.
Ajo njoftoi se Ministria e Arsimit ka vijuar koordinimin me ministritë e Drejtësisë dhe të Brendshme, si dhe me Agjencinë për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijëve.
Strukturat arsimore, sipas Kumbaros, janë angazhuar në mbështetjen e shërbimit psikosocial, informimin e drejtuesve të shkollave dhe forcimin e komunikimit me familjet.


