Kryeministri Edi Rama shprehu shqetësimin për praninë e të miturve në episodet e dhunës gjatë protestave, duke kërkuar që ata të trajtohen fillimisht si fëmijë që kanë nevojë për ndihmë.
Ai foli në tryezën e Këshillit Kombëtar për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijëve, ku u diskutua nevoja për një plan të përbashkët veprimi me shoqërinë civile dhe institucionet partnere ndërkombëtare.
“Para se t’i konsiderojmë fajtorë, duhet të mendojmë se janë fëmijë që kanë nevojë për ndihmë. Si duhen neutralizuar burimet prej nga ata ushqehen me frymën dhe nxitjen e dhunës?”, deklaroi Rama.
Kryeministri kritikoi qëndrimin e një pjese të shoqërisë ndaj dhunës në protestat e fundit, duke pretenduar se ajo është relativizuar, justifikuar dhe lartësuar.
Sipas tij, mënyra e paraqitjes së ngjarjeve ka stigmatizuar Policinë e Shtetit, ndërsa personave që kanë ushtruar dhunë ndaj institucioneve, shkollave dhe të drejtës për të ndjekur mësimin u është dhënë “imunitet mediatik”.
Rama argumentoi se vetëm ekspozimi dhe kritika nuk mjaftojnë. Ai paralajmëroi se pranimi i dhunës si mjet për arritjen e qëllimeve mund ta përhapë atë edhe në marrëdhëniet brenda shkollave, universiteteve dhe vendeve të punës.


