Rama: Dialog pa kushte, por jo me dhunuesit

19 Oct 2026 • 13:42
Shpërndaje:

Kryeministri Edi Rama u ka bërë thirrje protestuesve të distancohen nga personat e përfshirë në dhunë, duke paralajmëruar se, në të kundërt, do të përballen me pasoja financiare njësoj si ata.

Në një reagim në rrjetet sociale për protestat që vijojnë prej disa ditësh, Rama theksoi se e drejta për të protestuar duhet të ndahet qartë nga aktet e dhunshme.

“Protestat janë një e drejtë, ndërsa dhuna është krim dhe kjo vijë e kuqe do të ndahet prerazi në këtë fazë kritike të zhvillimit tonë demokratik”, shkroi ai.

Reklamë Ola

Kreu i qeverisë paralajmëroi pasoja ligjore dhe financiare për autorët e dhunës, ndërsa paralajmërimin financiar e shtriu edhe te protestuesit që nuk distancohen prej tyre.

“Protestuesit duhet të distancohen nga dhunuesit, përndryshe do të paguajnë financiarisht njësoj si ata. Dhunuesit duhet dhe do të marrin faturën ligjore e financiare të verbërisë së tyre”, deklaroi Rama, pa sqaruar në këtë reagim mënyrën se si do të zbatohej kjo masë.

Reklamë InterMedika

Ai u kërkoi gjithashtu qytetarëve të tregojnë durim dhe të mos ndikohen nga ajo që e cilësoi si presion të “manipulatorëve mediatikë”.

Në të njëjtin reagim, Rama shprehu gatishmërinë për dialog, duke përjashtuar personat e përfshirë në dhunë dhe partitë politike që nuk distancohen prej saj.

“Unë dhe shumica qeverisëse jemi gati për dialog me këdo tjetër përveç dhunuesve dhe partive politike që nuk distancohen nga dhuna. Në çdo vend. Në çdo orë. Pa kushte”, shkroi kryeministri.