Sanksionet amerikane ndaj Gjykatës Penale, Kallas kërkon kohë për përgjigjen e BE-së

20 Oct 2026 • 22:12
Shpërndaje:

Shefja e diplomacisë europiane, Kaja Kallas, deklaroi të martën se Bashkimi Europian do të shfrytëzojë muajt e ardhshëm për dialog dhe shqyrtim ligjor të masave kundër sanksioneve amerikane ndaj Gjykatës Penale Ndërkombëtare, pavarësisht kërkesave të eurodeputetëve për veprim të menjëhershëm.

Afro 60 anëtarë të Parlamentit Europian nga grupe të ndryshme politike i kanë kërkuar Komisionit të aktivizojë të ashtuquajturin “statut bllokues”, një instrument që do t’u ndalonte kompanive të BE-së zbatimin e sanksioneve amerikane.

“Duhet t’i mbajmë të gjitha mundësitë të hapura. Nëse përdorim statutin bllokues, kemi vetëm një mundësi dhe duhet ta bëjmë siç duhet. Prandaj, duhet të përgatitet mirë”, tha Kallas gjatë seancës plenare në Strasburg.

Reklamë Ola

Ajo u kërkoi kompanive të mos vendosin kufizime përtej atyre që kërkojnë sanksionet, ndërsa theksoi se Komisioni duhet të analizojë pasojat e plota ligjore dhe të kërkojë zgjidhje përmes dialogut.

Sipas POLITICO-s, masat e reja pritet të zbatohen pas një periudhe shtyrjeje prej 180 ditësh, duke nisur nga 9 tetori. Administrata e presidentit Donald Trump kishte sanksionuar më herët nëntë gjyqtarë dhe kryeprokurorin e gjykatës, duke ua ndërprerë aksesin te ofruesit amerikanë të shërbimeve, përfshirë ato bankare.

Reklamë InterMedika

Ministri irlandez për Çështjet Europiane, Thomas Byrne, duke përfaqësuar presidencën e Këshillit të BE-së, tha se kjo periudhë krijon hapësirë për bisedime, ndërsa blloku duhet të mbetet i gatshëm të marrë masat e nevojshme.

Kallas paralajmëroi gjithashtu se vendimet e Nigerit, Malit, Burkina Fasos, Çadit dhe Venezuelës për të kundërshtuar ose për t’u tërhequr nga gjykata rrezikojnë të dobësojnë drejtësinë ndërkombëtare.

“Gjykata Penale Ndërkombëtare është nën sulm pikërisht në momentin kur kemi më shumë nevojë për të”, deklaroi ajo, duke përmendur hetimet për krimet ruse të luftës në Ukrainë.

Shefja e diplomacisë europiane tha se BE-ja do të vazhdojë bashkëpunimin me partnerët për forcimin e gjykatës. Ajo paralajmëroi se largimi i vendeve nga institucioni nën presionin amerikan do të ketë pasoja edhe për marrëdhëniet e tyre me Bashkimin Europian.

Kallas njoftoi se do të vizitojë Hagën gjatë kësaj jave.