Bashkimi Europian ka prezantuar një strategji të re për Arktikun, duke e zhvendosur vëmendjen nga mbrojtja kryesisht mjedisore drejt sigurisë, infrastrukturës dhe burimeve strategjike. Plani synon t’i përgjigjet rritjes së aktivitetit ushtarak dhe tregtar në rajonin ku shkrirja e akujve po hap rrugë të reja detare.
Strategjia, e quajtur “Fqinjësia Veriore”, parashikon forcimin e bashkëpunimit me Norvegjinë, Islandën, Kanadanë dhe Mbretërinë e Bashkuar, përmes takimeve të rregullta dhe projekteve të përbashkëta.
“Arktiku është një nga vendet ku përplasen pllakat tektonike të gjeopolitikës. Dhe nuk është kufiri i dikujt tjetër. Është pjesë e Bashkimit Europian”, deklaroi presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen.
Ajo veçoi zgjerimin e pranisë ushtarake ruse dhe garën për korridoret detare e lëndët e para si zhvillime që ndikojnë drejtpërdrejt në sigurinë dhe ekonominë europiane.
Mbikëqyrje detare dhe mbrojtje e kabllove
Sipas POLITICO-s, BE-ja synon të nisë në vitin 2027 një projekt pilot për vëzhgimin satelitor dhe detar. Shkëmbimi i të dhënave për lëvizjen e anijeve do të ndihmonte edhe në identifikimin e mjeteve të flotës së fshehtë ruse.
Në planin afatgjatë parashikohet një qendër sigurie detare për grumbullimin e informacionit mbi kërcënime që shkojnë nga sabotimi i kabllove nënujore te peshkimi i paligjshëm.
Strategjia propozon gjithashtu bashkëpunim me NATO-n për monitorimin dhe mbrojtjen e kabllove në Atlantikun Verior dhe Arktik. Megjithatë, dokumenti nuk përcakton financimin e këtyre projekteve.
Mineralet kritike në qendër të interesit
Brukseli kërkon të zgjerojë bashkëpunimin me Kanadanë, Grenlandën, Norvegjinë dhe SHBA-në për sigurimin e lëndëve të para kritike, me synimin për të ulur varësinë nga Kina.
Strategjia premton standarde të larta mjedisore e shoqërore dhe respektimin e të drejtave të popujve autoktonë. Por disa projekte minerare përballen me kundërshtime nga komunitetet lokale, të cilat paralajmërojnë pasoja për ekosistemet dhe veprimtaritë tradicionale.
Për energjinë, BE-ja ruan kundërshtimin ndaj nxjerrjes së naftës, gazit dhe qymyrit në Arktik dhe mbështet zhvillimin e burimeve të rinovueshme. Megjithatë, sipas POLITICO-s, strategjia nuk përsërit angazhimin e vitit 2021 për të kërkuar një moratorium ndërkombëtar mbi nxjerrjen e naftës dhe gazit.
Rrugët e reja tregtare dhe rreziqet mjedisore
Shkrirja e akujve po shton interesin për transportin përgjatë bregdetit arktik rus. Megjithatë, akulli, moti i paparashikueshëm, kostot e sigurimit dhe kontrolli i Moskës mbeten pengesa për përdorimin e gjerë tregtar të këtij korridori.
Në këtë fushë, veprimi konkret i parashikuar nga BE-ja është një studim mbi rrugët e reja detare.
Dokumenti paralajmëron se shtimi i trafikut në një mjedis të ashpër dhe ende të hartëzuar pamjaftueshëm rrit rrezikun e aksidenteve dhe ndotjes së rëndë.
Brukseli synon të kërkojë rregulla detyruese për kufizimin e blozës së emetuar nga anijet, e cila përshpejton shkrirjen kur depozitohet mbi dëborë dhe akull. Strategjia parashikon gjithashtu forcimin e kërkimit shkencor dhe kontrolleve për respektimin e standardeve ndërkombëtare të lundrimit.


