“La Repubblica”: Shqipëria mes destinacioneve më në rritje në Evropë për turizëm bregdetar
Gazeta e njohur italiane La Repubblica, duke iu referuar një raporti të platformës turistike lastminute.com, thekson ndryshimet e reja në mënyrën e udhëtimit të turistëve në Evropë, ku po rritet kërkesa për destinacione më pak të mbipopulluara, fleksibilitet dhe çmime më të përballueshme.
Sipas analizës, udhëtarët po zgjedhin gjithnjë e më shumë udhëtime të personalizuara dhe të minutës së fundit, në një kontekst të ndikuar nga kostot në rritje dhe pasiguria gjeopolitike në disa rajone, përfshirë Lindjen e Mesme.
Në këtë listë destinacionesh në zhvillim, përmendet edhe Shqipëria, e cila po tërheq gjithnjë e më shumë turistë përmes bregdetit të saj jugor.
Sipas raportit, bregdeti shqiptar ka shënuar një rritje prej 53%, me destinacione si Ksamil, Sarandë dhe Dhërmi që ofrojnë ujëra të pastra, plazhe më të qeta dhe një jetë nate në zhvillim.
Po ashtu, përmendet edhe pasuria kulturore e zonës, ku Parku Kombëtar i Butrintit veçohet si një atraksion me vlerë historike që i shton dimension turistik rajonit.
Së bashku me Shqipërinë, raporti liston edhe destinacione të tjera në rritje si Riga, Gdansk, Bukuresht dhe Krakow, duke reflektuar një zhvendosje të qartë të preferencave turistike drejt qyteteve dhe zonave më pak të njohura në Evropë.







