Rama në Forumin e Paqes: Integrimi në BE, reformat dhe sfidat e demokracisë

10 Nov 2026 • 21:56
Shpërndaje:

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se Shqipëria synon të përfundojë negociatat e anëtarësimit me Bashkimin Evropian në fund të vitit 2027, ndërsa ka kërkuar një qasje të re të unionit ndaj vendeve kandidate, për të përshpejtuar integrimin e tyre politik.

Gjatë një bashkëbisedimi në Musée de l’Homme, në kuadër të Forumit të Paqes në Paris, Rama foli për procesin e zgjerimit të BE-së, zhvillimin ekonomik të Shqipërisë, emigracionin, protestat, përdorimin e inteligjencës artificiale dhe marrëdhëniet në Ballkanin Perëndimor.

Kreu i qeverisë theksoi se Shqipëria ndodhet në fazën përfundimtare të negociatave, por paralajmëroi se anëtarësimi nuk varet vetëm nga përmbushja e reformave të brendshme.

Reklamë Ola

“Bazuar edhe në raportin e fundit të progresit të Komisionit Evropian, Komisioni është shprehur se viti tjetër do të jetë viti ku duhet të nisim të punojmë me traktatin e anëtarësimit, çka nënkupton se jemi në fazën e fundit fare të negociatave”, deklaroi Rama.

Sipas tij, nëse procesi vijon sipas parashikimeve, negociatat mund të përmbyllen në fund të vitit 2027.

Reklamë InterMedika

Megjithatë, kryeministri theksoi se vendimmarrja për anëtarësimin do të ndikohet edhe nga zhvillimet politike brenda Bashkimit Evropian, përfshirë zgjedhjet e ardhshme në Francë.

“Ne duhet të bëjmë punën tonë dhe duhet të përfundojmë punën që po bëjmë”, u shpreh ai.

Rama: BE-ja nuk është bankomat, por një hapësirë lirie dhe paqeje

Duke folur për mbështetjen e shqiptarëve ndaj integrimit evropian, Rama u ndal te historia e veçantë e Shqipërisë gjatë periudhës komuniste.

Ai kujtoi se vendi nuk ka qenë pjesë e ish-Jugosllavisë dhe se, pas shkëputjes nga blloku lindor në vitet ’60, krijoi marrëdhënie të veçanta me Kinën, përpara se të kalonte në izolim të thellë.

Sipas tij, kjo përvojë historike ka ndikuar në orientimin e fortë proevropian të shoqërisë shqiptare.

“Për shqiptarët e për ne në Shqipëri, Bashkimi Evropian është çka ishte për etërit themelues, jo një bankomat, por një hapësirë lirie, sigurie, paqeje dhe bashkëpunimi”, deklaroi kryeministri.

Rama theksoi se, pavarësisht polarizimit politik dhe protestave, integrimi evropian mbetet objektiv i përbashkët.

“Ne nuk kemi asnjë alternativë tjetër e as nuk e kërkojmë një të tillë”, shtoi ai.

Emigracioni dhe ekonomia: Shqipëria nuk është më vendi i 10 viteve më parë

I pyetur për largimin e të rinjve nga vendi, Rama kundërshtoi vlerësimin se emigracioni përbën një prirje në rritje.

Sipas tij, lëvizja e qytetarëve lidhet edhe me zhvillimin ekonomik dhe rritjen e pritshmërive për standardin e jetesës.

“Vendi zhvillohet, pagat rriten, ekonomia rritet, turizmi rritet, eksportet rriten, por në të njëjtën kohë ambiciet e pritshmëritë e njerëzve rriten po ashtu”, deklaroi Rama.

Kryeministri tha se Shqipëria ka ndryshuar ndjeshëm gjatë dekadës së fundit, duke përmendur zhvillimin e turizmit dhe rritjen e interesit të mediave ndërkombëtare për vendin.

Ai solli si shembull shtypin francez, ku, sipas tij, Shqipëria dikur përmendej kryesisht për zhvillime negative, ndërsa sot promovohet për plazhet, malet dhe mikpritjen.

Protestat në Shqipëri, Rama: Duhet të dallojmë shqetësimet legjitime nga dhuna

Gjatë diskutimit, kryeministri u pyet edhe për protestat e të rinjve në Shqipëri dhe ngjashmëritë e tyre me lëvizjet protestuese në Francë dhe Itali.

Rama deklaroi se manifestimet masive të fillimit të qershorit u nxitën nga shqetësimet lidhur me projektin e përfolur të Jared Kushner, dhëndrit të presidentit amerikan Donald Trump.

Sipas tij, protestat fillestare përfshinin qytetarë nga shtresa të ndryshme të shoqërisë, ndërsa më vonë një grup më i vogël protestuesish i përshkallëzoi ato në dhunë.

Kryeministri tha se pakënaqësitë e shprehura në protesta kanë shkaqe të ndryshme, duke përfshirë shqetësimet mjedisore dhe koston e jetesës.

Ai pretendoi gjithashtu se në disa episode kanë ndikuar grupe politike, elementë të radikalizuar dhe persona të lidhur me krimin e organizuar. Rama përmendi edhe ndikimin e propagandës së huaj, përfshirë atë që ia atribuoi Iranit.

Sipas tij, institucionet duhet të dallojnë kërkesat legjitime të qytetarëve nga shkeljet e ligjit.

Kryeministri theksoi se qeveria duhet të dëgjojë shqetësimet, të krijojë dialog dhe të ndërmarrë masa për përballimin e kostos së jetesës, ndërsa policia, prokuroria dhe gjykatat duhet të trajtojnë rastet e dhunës dhe shkeljeve.

Inteligjenca artificiale në administratë dhe prokurimet publike

Një pjesë e rëndësishme e bashkëbisedimit iu kushtua përdorimit të inteligjencës artificiale në administratën shqiptare.

Rama deklaroi se Shqipëria po e përdor këtë teknologji për të përshpejtuar përafrimin e legjislacionit kombëtar me atë të Bashkimit Evropian.

Sipas tij, procesi i transpozimit të legjislacionit evropian, i cili në vende të tjera ka kërkuar vite pune dhe angazhimin e shumë specialistëve, po realizohet më shpejt falë përdorimit të inteligjencës artificiale.

Kryeministri foli edhe për synimin e qeverisë për të zhvilluar një sistem prokurimesh publike që do të funksionojë plotësisht përmes inteligjencës artificiale.

“Po punojmë për diçka që unë shpresoj shumë do të ketë sukses, që do të jetë një proces prokurimesh publike plotësisht që kryhet me inteligjencë artificiale”, deklaroi ai.

Rama vlerësoi se kjo teknologji mund të ndihmojë në adresimin e problemeve që lidhen me prokurimet publike.

Ai tha gjithashtu se 95% e shërbimeve publike në Shqipëri ofrohen online dhe se është krijuar një sistem digjital që u mundëson qytetarëve të ndjekin ecurinë e kërkesave të tyre pranë institucioneve.

Kosova dhe Serbia, Rama: Pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme

Duke iu përgjigjur një pyetjeje për paqen dhe bashkëpunimin në Ballkanin Perëndimor, Rama theksoi se Shqipëria ka ndjekur një politikë të orientuar drejt marrëdhënieve të mira me vendet fqinje.

Sipas tij, bashkëpunimi rajonal është i domosdoshëm, pasi vendet e Ballkanit nuk mund të ndryshojnë realitetin e tyre gjeografik.

Megjithatë, ai pranoi se marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë mbeten një nga sfidat kryesore të rajonit.

“Kosova është një shtet i pavarur, një shtet që njihet nga shumë vende, ende jo nga të gjithë, nuk ka më kthim pas”, deklaroi Rama.

Kryeministri theksoi se Serbia duhet ta pranojë pavarësinë e Kosovës si një realitet të pakthyeshëm.

Sipas tij, sa më shpejt që Beogradi ta pranojë këtë fakt, aq më të mëdha do të jenë mundësitë për normalizimin e marrëdhënieve dhe forcimin e bashkëpunimit rajonal.

Anëtarësimi i Ukrainës në BE, Rama kundër anashkalimit të reformave

I pyetur për mundësinë e një anëtarësimi të përshpejtuar të Ukrainës në Bashkimin Evropian, Rama theksoi se çdo vend duhet të përmbushë kriteret e kërkuara.

Ai vlerësoi rolin e Ukrainës në mbrojtjen e sigurisë evropiane, por kundërshtoi idenë e anashkalimit të procesit të reformave.

Sipas kryeministrit, Shqipëria, Mali i Zi, Ukraina dhe Moldavia konsiderohen ndër vendet që kryesojnë procesin aktual të zgjerimit.

Rama argumentoi se negociatat e anëtarësimit, pavarësisht kohëzgjatjes së tyre, janë të nevojshme për ndërtimin dhe forcimin e institucioneve shtetërore.

Ai e krahasoi anëtarësimin pa përgatitjen e duhur me marrjen e një patente pa ditur të drejtosh automjetin.

Megjithatë, kryeministri propozoi një model të ri për përfshirjen politike të vendeve kandidate në Bashkimin Evropian.

Sipas tij, shtatë vendet që negociojnë me unionin duhet të kenë mundësi të marrin pjesë në diskutimet politike evropiane, ndërsa përfitimet dhe përparimi drejt anëtarësimit të mbeten të lidhura me meritat dhe reformat.

“Procesi i mbështetur në meritë duhet të vazhdojë të jetë siç është. Çdo vend duhet të vazhdojë të bëjë detyrat e shtëpisë, por çdo vend duhet të ulet rreth tryezës”, deklaroi Rama.

Demokracia dhe liria, Rama: Janë procese që nuk përfundojnë kurrë

Gjatë bashkëbisedimit, kryeministri foli edhe për gjendjen e demokracisë në Shqipëri.

Ai pranoi se vendi ka ende shumë punë për të bërë, por theksoi se përmirësimi i demokracisë është një proces i vazhdueshëm për çdo shtet.

“Demokracia është një kapitull që nuk mbaron kurrë. Prej vetë përkufizimit të saj nuk është e përkryer dhe gjithmonë duhet kujdesur e duhet përsosur”, u shpreh Rama.

I pyetur se si e përkufizon lirinë, ai iu referua përvojës personale gjatë periudhës komuniste, kur qytetarët shqiptarë nuk mund të udhëtonin lirisht jashtë vendit.

Sipas tij, liria nënkupton mundësinë për të udhëtuar, për të komunikuar me njerëzit dhe për të shprehur mendimet.

Në një tjetër pyetje, lidhur me projektin e një shteti sovran bektashi në Tiranë, Rama konfirmoi se qeveria vijon të punojë për këtë nismë, pa dhënë hollësi të tjera.

Paralajmërimi për Evropën: Rrjetet sociale po dobësojnë qendrën politike

Në përfundim të diskutimit, Rama shprehu shqetësimin për ndikimin e rrjeteve sociale në demokracitë evropiane.

Sipas tij, platformat digjitale po ndikojnë në përhapjen e dezinformimit, radikalizimin e qëndrimeve dhe polarizimin politik.

Kryeministri paralajmëroi se dobësimi i forcave politike të qendrës mund të krijojë sfida serioze për të ardhmen e Bashkimit Evropian.

Ai theksoi se Evropa duhet të përballet më me vendosmëri me ndikimin e rrjeteve sociale në jetën politike dhe shoqërore.

“Shpresoj që pikësëpari Bashkimi Evropian t’ia dalë me sukses të shpëtojë prej vetvetes. E gjithçka tjetër pastaj do të jetë në rregull për ne”, deklaroi Rama.

Sipas kryeministrit, sfida kryesore për të ardhmen e integrimit nuk lidhet vetëm me gatishmërinë e vendeve kandidate, por edhe me aftësinë e vetë Bashkimit Evropian për t’u përshtatur me ndryshimet politike dhe teknologjike.

Rama përfundoi duke theksuar se Shqipëria duhet të vazhdojë përmbushjen e reformave, ndërsa BE-ja duhet të gjejë mënyra për ta bërë procesin e zgjerimit më funksional dhe më të qëndrueshëm.