Nën presion për shkarkim, kreu i Pentagonit: Akuzat ndaj meje janë farsë politike

10 Nov 2026 • 21:51
Shpërndaje:

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, ka dalë për herë të parë pas gjashtë muajsh në një konferencë për mediat, duke kundërshtuar ashpër nismën për shkarkimin e tij nga detyra.

Konferenca në Pentagon u zhvillua një ditë pasi kongresmeni republikan Thomas Massie paraqiti në Dhomën e Përfaqësuesve një rezolutë për nisjen e procedurës së shkarkimit ndaj Hegseth, të cilin e akuzon për shkelje të Kushtetutës dhe tejkalim të kompetencave në drejtimin e operacioneve ushtarake.

Hegseth i cilësoi akuzat si një përpjekje të motivuar politikisht, duke deklaruar se nuk ka ndërmend të tërhiqet përballë presionit.

Reklamë Ola

“Ajo që po përpiqet të bëjë një kongresmen i pakënaqur dhe i mundur nuk është mbikëqyrje dhe as kërkim llogarie. Është një spektakël politik, një manifest personal i nxitur nga egoja dhe pakënaqësia”, deklaroi ai.

Hegseth: Po sulmohem për fitoret ushtarake

Reklamë InterMedika

Kreu i Pentagonit argumentoi se nisma ndaj tij përbën një precedent të pazakontë në historinë amerikane.

Sipas Hegseth, në 250 vite histori të Shteteve të Bashkuara, asnjë sekretar i Mbrojtjes nuk është përballur me një procedurë të tillë për drejtimin e operacioneve ushtarake që ai i konsideron të ligjshme.

“Është sabotim. Për herë të parë në historinë amerikane, një sekretar kabineti që drejton ushtrinë amerikane po sulmohet jo sepse ka humbur luftërat kundër armiqve tanë, por sepse i ka fituar ato”, u shpreh Hegseth.

Akuzat e kongresmenit Massie lidhen veçanërisht me operacionet ushtarake amerikane kundër Iranit, por përfshijnë edhe veprimet në Jemen dhe Venezuelë.

Lufta me Iranin dhe humbjet e republikanëve

Gjatë konferencës, Hegseth u pyet edhe për deklaratat e zëvendëspresidentit JD Vance, i cili ka pranuar se lufta me Iranin ishte një nga faktorët që ndikuan në humbjet e republikanëve në zgjedhjet e mesmandatit.

Sekretari i Mbrojtjes shmangu komentet mbi përgjegjësitë politike, duke theksuar se fokusi i tij mbetet drejtimi i ushtrisë amerikane.

“E respektoj shumë zëvendëspresidentin dhe sigurisht që nuk do të përfshihem në shkëmbime akuzash apo fajësimesh. Për fat të mirë, politika nuk është fusha ime”, deklaroi ai.

Hegseth shtoi se përgjegjësia e tij kryesore është të sigurojë gatishmërinë e forcave të armatosura amerikane.

Ndërkohë, presidenti Donald Trump ka shprehur publikisht mbështetjen për sekretarin e Mbrojtjes, duke vlerësuar drejtimin e tij në operacionet ushtarake në Iran dhe Venezuelë.

Nisma e Massie shton presionin politik ndaj kreut të Pentagonit, ndërsa mbetet për t’u parë nëse rezoluta do të sigurojë mbështetjen e nevojshme për të avancuar në Dhomën e Përfaqësuesve.