Rama publikon pamjet: Rikonstruktohet Pallati i Kulturës “Vaçe Zela” në Lushnjë
Kryeministri Edi Rama ka ndarë në rrjetet sociale pamje nga Pallati i Kulturës “Vaçe Zela” në Lushnjë, i cili i është nënshtruar restaurimit dhe rikonstruksionit të plotë.
Përmes një postimi në Facebook, Rama theksoi se godina që mban emrin e ikonës së muzikës shqiptare, Vaçe Zela, është transformuar dhe tashmë ofron kushte moderne për zhvillimin e aktiviteteve artistike, kulturore dhe komunitare.
“MIRËMËNGJES dhe me Pallatin e Kulturës që mban emrin e ikonës së këngës shqiptare Vaçe Zela në Lushnjë, tanimë i rilindur me kushte dinjitoze, ju uroj një javë të mbarë”, shkroi kryeministri.
Sipas qeverisë, ndërhyrja synon përmirësimin e infrastrukturës kulturore në qytet dhe krijimin e hapësirave më funksionale për artistët, aktivitetet kulturore dhe komunitetin lokal.
Pallati i Kulturës “Vaçe Zela” konsiderohet një nga institucionet kryesore kulturore të Lushnjës dhe rikonstruksioni i tij vjen në kuadër të investimeve për rehabilitimin e objekteve kulturore në vend.







