Java e Çmimeve Nobel nis sot me shpalljen e fituesit të Çmimit Nobel për Fiziologjinë ose Mjekësinë, në orën 11:30 në Stokholm.
Gjatë kësaj jave do të shpallen gjithashtu fituesit e Çmimeve Nobel për Fizikën, Kiminë, Letërsinë dhe Paqen.
Ndërsa Çmimi i Bankës së Suedisë në Shkencat Ekonomike në kujtim të Alfred Nobel do të shpallet të hënën e javës pasuese.
Secili prej këtyre çmimeve ka një vlerë prej 12 milionë koronash suedeze, rreth 1,2 milionë dollarë.
Çmimet do t’u dorëzohen fituesve më 10 dhjetor, në përvjetorin e vdekjes së themeluesit të çmimeve, Alfred Nobel.
Çmimi Nobel për Paqen do të dorëzohet në Oslo, ndërsa çmimet e tjera në Stokholm.
Vitin e kaluar, tre shkencëtarë nga Japonia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndanë Çmimin Nobel për Fiziologjinë ose Mjekësinë për kërkimet e tyre mbi sistemin imunitar.
Çmimi Nobel për Fiziologjinë ose Mjekësinë mund t’i jepet një studiuesi të vetëm ose të ndahet mes dy apo tre shkencëtarëve që kanë punuar në të njëjtën fushë.


