Gonxhe u përgjigjet kritikave: 80% më shumë fonde për trashëgiminë kulturore në 2027

10 Nov 2026 • 22:19
Shpërndaje:

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sporteve, Blendi Gonxhe, ka reaguar ndaj akuzave për dëmtimin dhe keqmenaxhimin e trashëgimisë kulturore në Shqipëri, duke deklaruar se investimet në këtë sektor do të rriten me 80% gjatë vitit 2027.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Gonxhe theksoi se institucionet shqiptare po bashkëpunojnë ngushtë me ekspertë ndërkombëtarë dhe përfaqësues të UNESCO-s për mbrojtjen, restaurimin dhe promovimin e monumenteve të kulturës.

Reagimi i ministrit vjen në kuadër të një takimi që mbledh ekspertë ndërkombëtarë dhe përfaqësues të institucioneve shqiptare, me synim shkëmbimin e përvojave, praktikave të mira dhe forcimin e bashkëpunimit rajonal në fushën e trashëgimisë kulturore.

Reklamë Ola

“Ndërkombëtarët janë këtu, UNESCO është këtu, në dialog të drejtpërdrejtë me institucionet tona, duke dëshmuar rëndësinë e sinergjisë dhe të angazhimit të përbashkët për trashëgiminë kulturore në përgjithësi”, shkruan Gonxhe.

Buxheti 2027, rritje me 80% e financimit për trashëgiminë kulturore

Reklamë InterMedika

Sipas ministrit, financimi për trashëgiminë kulturore do të rritet me 80% në vitin 2027, duke mundësuar zgjerimin e investimeve në restaurimin, mbrojtjen dhe promovimin e pasurive historike dhe kulturore të vendit.

Gonxhe bëri të ditur se fondet do të mbështesin projekte për rijetëzimin e monumenteve, krijimin e hapësirave të reja muzeore dhe ruajtjen e traditave, artizanatit dhe identitetit kulturor.

Ai paralajmëroi gjithashtu forcimin e kapaciteteve restauruese, shtimin e personelit të specializuar dhe përmirësimin e menaxhimit të siteve arkeologjike.

Një tjetër drejtim i politikave të ministrisë, sipas tij, është reforma ligjore dhe krijimi i instrumenteve për zhvillimin e turizmit kulturor, duke synuar përfshirjen më të drejtpërdrejtë të komuniteteve lokale në mbrojtjen dhe shfrytëzimin e qëndrueshëm të trashëgimisë.

Projekti në Bylis, Gonxhe: Investimi po zbatohet, puna vijon në terren

Ministri iu përgjigj edhe kritikave lidhur me përdorimin e fondeve për projektin e restaurimit dhe zhvillimit të parkut arkeologjik të Bylisit.

Sipas tij, pretendimet se miliona euro të investuara në këtë projekt janë shpërdoruar nuk përputhen me situatën në terren.

“Për ata që nxituan të shpallnin se miliona euro për Bylisin ishin bërë ‘rrush e kumbulla’, përgjigjja gjendet përsëri në terren”, u shpreh Gonxhe.

Ai deklaroi se projekti, i mbështetur nga Bashkimi Evropian dhe Agjencia Italiane për Bashkëpunim dhe Zhvillim (AICS), është në fazën e zbatimit dhe se punimet në kantier po vijojnë.

Ministri e paraqiti këtë investim si pjesë të përpjekjeve për mbrojtjen dhe rijetëzimin e trashëgimisë arkeologjike shqiptare.

UNESCO vijon monitorimin në Butrint

Në reagimin e tij, Gonxhe u ndal edhe te Parku Kombëtar i Butrintit, një nga sitet më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore në Shqipëri.

Sipas ministrit, ekspertë ndërkombëtarë të UNESCO-s po vijojnë angazhimin në terren për të verifikuar gjendjen e monumenteve, ecurinë e ndërhyrjeve konservuese dhe planet për projekte të reja.

Ai theksoi se bashkëpunimi me organizatat ndërkombëtare nuk kufizohet vetëm në takime institucionale, por përfshin edhe vlerësime të drejtpërdrejta të gjendjes së monumenteve dhe mbështetje profesionale për ndërhyrjet restauruese.

“Ndërkombëtarët nuk janë spektatorë. Janë këtu, në Tiranë dhe në terren, në bashkëpunim me ekspertët shqiptarë”, deklaroi Gonxhe.

Përplasja për trashëgiminë kulturore, ministri: Kritikat i mirëpresim, por jo akuzat

Në përfundim të reagimit, ministri hodhi poshtë pretendimet se trashëgimia kulturore shqiptare po shkatërrohet, duke argumentuar se investimet, projektet restauruese dhe bashkëpunimi ndërkombëtar dëshmojnë një angazhim të shtuar institucional.

Gonxhe deklaroi se Shqipëria ka përmirësuar reputacionin dhe rezultatet në këtë sektor, ndërsa theksoi se kritikat janë të mirëpritura kur mbështeten në fakte.

“Kritikat ne i mirëpresim, por akuzat nuk mund të zëvendësojnë aspak faktet. Sepse trashëgimia sidomos nuk mbrohet me tituj alarmantë, por me investime, ekspertizë dhe punë konkrete”, u shpreh ai.

Ministri shtoi se qeveria do të vijojë zbatimin e projekteve të planifikuara për mbrojtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore, pavarësisht kritikave.

Deklaratat e Gonxhes vijnë në një periudhë kur menaxhimi i monumenteve historike, investimet në parqet arkeologjike dhe ruajtja e identitetit kulturor janë në qendër të debatit publik.