×
Tuesday, July 23, 2024

Këshilli i Europës rekomandon hapjen e kufijve për vendet si Shqipëria

May 21, 2021


Këshilli i krerëve të shteteve anëtare të BE-së miratoi propozimin e Komisionit për lehtësimin e rregullave për ndalimin e udhëtimeve për shkak të pandemisë, një propozim nga i cili duket se përfiton edhe Shqipëria. Megjithatë, këto rregulla janë vetëm rekomanduese për vendet anëtare.

BIRN 

Këshilli i krerëve të vendeve anëtare të BE-së miratoi të enjten rregullat e reja mbi të cilat vendet anëtare do të mund të lejojnë udhëtimet për qëllime turistike nga qytetarët e vendeve të treta si Shqipëria. Rregullat e reja sugjerojnë se Shqipëria mund të jetë një nga përfituesit, por kjo nuk është e sigurt për shkak se vendet anëtare do të kenë të drejtë të vlerësojnë jo vetëm kriteret por edhe besueshmërinë e informacionit statistikor mbi praninë e koronavirusit të ri në një vend të caktuar.

Sipas njoftimit për shtyp, vendet anëtare do të mund të lejojnë udhëtimet e a) personat e vaksinuar me vaksina të autorizuara nga Agjencia Evropiane e Barnave; b) qytetarët e pavaksinuar por që vijnë nga vende ku numri i rasteve të identifikuara të COVID-19 është jo më i lartë se sa 75 për 100 mijë banorë.

Shqipëria ka kryer deri tani mbi 700 mijë vaksinime por shumica dërrmuese e tyre janë kryer me vaksinë kineze, e cila nuk është autorizuar për miratim nga Bashkimi Evropian dhe për rrjedhojë nuk njihet. Vaksinat e autorizuara nga BE si Pfizer apo Astrazeneka janë shumë të pakta në vendin tonë.

Nga ana tjetër, numri kumulativ i rasteve të reja për 100 mijë banorë në Shqipëri ka qenë gjatë dy javëve të fundit 27, shifër kjo shumë më e ulët se sa limiti i ri i vendosur nga Këshilli, pra 75 për për 100 mijë.

Gjithsesi këto nuk janë kriteret e vetme që vendet anëtare duhet të marrin parasysh. Sipas deklaratës për shtyp, “kritere të tjera vijojnë të aplikohen”, përfshirë tendencë të stabilizuar apo në rënie i rasteve të reja dhe numri i testeve të kryera, shkalla e pozitivitetit 4% mbi të gjitha testet e kryera apo “besueshmëria e informacionit të disponueshëm.”

Shqipëria e ka pasur numrin e testimeve jashtëzakonisht të ulët përgjatë të gjithë kohës së pandemisë ndërsa shkalla e pozitivitetit në raport me infeksionet ka rënë në nivele të pranueshme vetëm gjatë javëve të fundit ndërsa ka qenë më herët deri në 30%.

Aktualisht vendet e BE-së janë mbyllur për udhëtarët shqiptarë me përjashtim të rasteve urgjente ndërsa në shumë raste kërkohet testim negativ, i cili kushton.

Ambasada e Italisë në Tiranë njoftoi pak ditë më parë rregullat e reja të vlefshme për deri 30 korrik, në të cilat, shqiptarët nuk lejohet të hyjnë në Itali me përjashtim të rasteve kur udhëtojnë për studime apo kanë lidhje familjare me një shtetas të BE-së apo një person me leje qëndrimi italiane.

Në njoftimin e fundit, Greqia vijon të jetë e mbyllur për udhëtime turistike ndërsa udhëtarët e tjerë nuk e kanë më detyrimin të karantinohen për 14 ditë.

Eunews.al



Comments are closed.