Tarquinio vlerëson vizitën në Shqipëri, falënderon Ballën për organizimin e takimeve

22 Sep 2026 00:27
Shpërndaje:

Në mbledhjen e 22-të të Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit BE–Shqipëri (KPSA), bashkëkryetari i delegacionit të Parlamentit Europian, Marco Tarquinio, shprehu mirënjohjen për organizimin e vizitës në terren dhe falënderoi Kryetarin e Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, për mbështetjen dhe bashkëpunimin.

Tarquinio theksoi se vizita do t’u japë eurodeputetëve mundësinë të njohin më nga afër realitetin në terren për një çështje që, sipas tij, po ndiqet me interes të madh nga opinioni publik europian. Ai u shpreh se shumë deputetë të Parlamentit Europian kanë kërkuar zhvillimin e kësaj vizite dhe vlerësoi faktin që kërkesa u pranua nga pala shqiptare.

Eurodeputeti italian nënvizoi se, edhe pse palët nuk arritën të bien dakord për rekomandime të përbashkëta, mbetet shpresa që puna e përbashkët të kurorëzohet me një deklaratë të përbashkët të dy bashkëkryetarëve, si një reflektim i bashkëpunimit dhe dialogut të zhvilluar gjatë punimeve të komitetit.

Reklamë Ola

Në përfundim, Tarquinio falënderoi kolegët për bashkëpunimin dhe uroi sukses në vijimin e punës së përbashkët mes Parlamentit Europian dhe Shqipërisë.