Presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, ka falur shtetasin francez Martin Ryan, i dënuar me 10 vite burg për spiunazh, vetëm një ditë pasi Bashkimi Europian hoqi nga lista e sanksioneve miliarderin ruso-uzbek Alisher Usmanov.
Ryan ishte i vetmi shtetas francez mes personave të përfshirë në dekretin e faljes të firmosur të mërkurën nga Aliyev. Presidenca e Azerbajxhanit konfirmon se ai ishte dënuar nga Gjykata e Krimeve të Rënda në Baku më 16 mars 2026.
Zhvillimi vjen menjëherë pas vendimit të BE-së për të hequr sanksionet ndaj Usmanov, një vendim për të cilin Franca kishte lobuar fuqishëm gjatë negociatave mes vendeve anëtare.
Sipas diplomatëve europianë të cituar nga Reuters, Parisi kishte lënë të kuptohej privatisht se Azerbajxhani po e lidhte çështjen e Usmanov me fatin e dy shtetasve francezë të burgosur në vend. Një diplomat i lartë azerbajxhanas i ka mohuar këto pretendime, duke i cilësuar si të pabazuara.
Ryan ishte arrestuar në dhjetor të vitit 2023 dhe në mars të këtij viti u dënua me 10 vite burg nën akuzën e spiunazhit. Autoritetet azerbajxhanase e akuzuan atë për mbledhjen e informacioneve mbi forcat e armatosura të vendit për shërbimin francez të inteligjencës së jashtme, DGSE. Franca e kishte kundërshtuar procesin ndaj tij.
Një tjetër shtetas francez, Anass Derraz, i dënuar në vitin 2025 me 12 vite burg për korrupsion, nuk ishte mes personave të falur nga Aliyev.
Vendimi për Usmanov shkaktoi ndërkohë debate brenda BE-së. Franca kishte kërkuar heqjen e tij nga lista, ndërsa Luksemburgu kërkoi heqjen e sanksioneve ndaj miliarderit Mikhail Fridman. Në fund, të dy u hoqën nga lista, ndërsa sanksionet ndaj mijëra individëve dhe subjekteve të tjera të lidhura me Rusinë u rinovuan.
Ministri i Jashtëm ukrainas Andrii Sybiha e kritikoi vendimin për heqjen e dy miliarderëve nga lista, duke e cilësuar atë “të turpshëm dhe të pajustifikueshëm”.
Nga ana tjetër, ministri francez për Çështjet Europiane, Benjamin Haddad, argumentoi se rezultati ruajti unitetin europian për sanksionet ndaj Rusisë, duke theksuar se BE vazhdon presionin ekonomik ndaj Moskës për luftën në Ukrainë.
Marrëdhëniet mes Parisit dhe Bakusë janë tensionuar vitet e fundit, ndërsa Franca ka forcuar mbështetjen politike dhe të sigurisë për Armeninë në Kaukazin e Jugut.


