Trump e quajti “të tmerrshme”, Britania rishikon marrëveshjen për Ishujt Chagos

23 Sep 2026 14:35
Shpërndaje:

Qeveria britanike po rishikon marrëveshjen për të ardhmen e Ishujve Chagos, pasi presidenti amerikan Donald Trump përsëriti kundërshtimin e tij ndaj planit për transferimin e sovranitetit të arkipelagut te Mauritius, duke e cilësuar marrëveshjen “të tmerrshme”.

Sekretari britanik i Mbrojtjes, Wes Streeting, deklaroi të mërkurën se Londra do të punojë me administratën Trump për të gjetur një zgjidhje për arkipelagun, ku ndodhet baza strategjike ushtarake amerikano-britanike e Diego Garcia.

Streeting tha se qeveria britanike nuk mund t’i injorojë shqetësimet e presidentit amerikan dhe paralajmëroi se “futja e kokës në rërë dhe shpresa se problemi do të largohet” nuk është një strategji e mençur.

Reklamë Ola

Deklaratat e tij vijnë pas takimit mes Trump dhe kryeministrit britanik Andy Burnham, gjatë të cilit presidenti amerikan kritikoi marrëveshjen e negociuar nga paraardhësi i Burnham, Keir Starmer.

Sipas versionit të fundit të planit, Mauritius do të merrte sovranitetin mbi Ishujt Chagos, ndërsa baza ushtarake në Diego Garcia do t’i jepej me qira Britanisë dhe Shteteve të Bashkuara. Kostoja e marrëveshjes është llogaritur mesatarisht në rreth 101 milionë paund në vit.

Reklamë InterMedika

Plani ishte pezulluar në prill, pasi Trump tërhoqi mbështetjen e tij. Presidenti amerikan ka kërkuar që SHBA-ja të ketë akses të përhershëm dhe të pakufizuar në Diego Garcia, të cilën e konsideron me rëndësi të madhe strategjike për interesat amerikane.

Diego Garcia, që ndodhet në Oqeanin Indian, është prej dekadash një nga bazat më të rëndësishme ushtarake për SHBA-në dhe Britaninë. Kundërshtarët e marrëveshjes në Mbretërinë e Bashkuar pretendojnë se transferimi i sovranitetit te Mauritius mund të krijojë rreziqe strategjike, përfshirë rritjen e ndikimit të Kinës në rajon.

Streeting tha se e ka rishikuar çështjen me “një palë sy të rinj” që prej marrjes së detyrës në korrik dhe theksoi se strategjia britanike nuk është të presë përfundimin e presidencës Trump.

Sipas tij, arritja e një marrëveshjeje me administratën amerikane do të jetë një proces “i vështirë dhe domosdoshmërisht i mundimshëm”.

Edhe kryeministri Andy Burnham deklaroi se qeveria do të punojë për të gjetur një zgjidhje të pranueshme si për Londrën, ashtu edhe për Uashingtonin.

“Është thelbësore të garantojmë të ardhmen e bazës. Kjo ka rëndësi për ne për arsye sigurie, por qartësisht edhe për Shtetet e Bashkuara”, tha Burnham.

Nga ana tjetër, opozita konservatore kërkon braktisjen e plotë të marrëveshjes. Sekretari në hije i Mbrojtjes, James Cartlidge, e cilësoi të papranueshme dorëzimin e sovranitetit britanik mbi ishujt dhe kritikoi gjithashtu koston që marrëveshja do t’u sillte taksapaguesve.

Britania dhe Mauritius kanë prej dekadash mosmarrëveshje për sovranitetin mbi Chagos. Në vitin 2019, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë dha një opinion këshillimor sipas të cilit shkëputja e arkipelagut nga Mauritius në vitin 1965 nuk ishte kryer ligjërisht dhe Britania duhet t’i japë fund administrimit të territorit.