Ministri i Jashtëm gjerman Johann Wadephul ka kundërshtuar thirrjen e presidentit amerikan Donald Trump që vendet anëtare të largohen nga Gjykata Penale Ndërkombëtare (GJNP), duke bërë të qartë se Gjermania do të vazhdojë ta mbështesë institucionin me seli në Hagë.
Në një intervistë për transmetuesin publik gjerman Deutschlandfunk, Wadephul deklaroi se GJNP-ja është pjesë e rendit ndërkombëtar të bazuar në rregulla dhe se qëndrimi i Berlinit ndaj saj nuk ndryshon.
“Është pjesë e rendit të bazuar në rregulla. Është pjesë e historisë së qytetërimit tonë”, tha Wadephul, duke shtuar se është “absolutisht e qartë” se Gjermania qëndron në krah të Gjykatës Penale Ndërkombëtare.
Reagimi vjen një ditë pasi Trump përdori fjalimin e tij në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork për të sulmuar ashpër GJNP-në. Presidenti amerikan e cilësoi atë një institucion “jashtë kontrollit” dhe u bëri thirrje vendeve anëtare të largohen menjëherë nga gjykata.
Wadephul tha se nuk e kupton kërkesën e Trump dhe pranoi se kjo është një nga çështjet ku ekzistojnë dallime të rëndësishme mes Berlinit dhe Uashingtonit.
Sipas ministrit gjerman, GJNP-ja luan një rol të rëndësishëm në mbrojtjen e së drejtës ndërkombëtare dhe të drejtave të njeriut, si dhe në vënien para përgjegjësisë të personave të akuzuar për krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid.
Ai iu referua edhe përvojës së Ballkanit Perëndimor për të argumentuar rëndësinë e mekanizmave ndërkombëtarë të drejtësisë në trajtimin e shkeljeve të rënda të së drejtës ndërkombëtare.
Shtetet e Bashkuara nuk janë palë në Statutin e Romës dhe nuk janë anëtare të GJNP-së. Administrata Trump ka rritur presionin ndaj gjykatës, duke vendosur sanksione ndaj disa zyrtarëve të saj dhe duke përgatitur masa më të gjera kundër institucionit.
Përplasja mes Uashingtonit dhe GJNP-së është intensifikuar veçanërisht pas urdhër-arresteve të lëshuara në nëntor 2024 ndaj kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrit të Mbrojtjes Yoav Gallant, lidhur me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në konfliktin në Gaza.


