Demo pas votimit në Kuvend: Më shumë siguri, institucione me dyer të hapura dhe polici më profesionale

18 Sep 2026 08:56
Shpërndaje:

Ervin Demo ka reaguar pas miratimit në Kuvend të dekretit të Presidentit për emërimin e tij në krye të Ministrisë së Brendshme, duke shprehur mirënjohjen për besimin e dhënë dhe angazhimin për të përmbushur me përgjegjësi detyrën e re.

Në mesazhin e tij në rrjetet sociale, Demo falënderoi Kryeministrin Edi Rama për besimin e dhënë, si dhe deputetët për mbështetjen në votimin e emërimit të tij.

Ministri i ri i Brendshëm theksoi se siguria e familjeve shqiptare, qetësia në komunitete, përmirësimi i shërbimeve publike dhe një pushtet vendor më pranë qytetarëve do të jenë në fokus të punës së tij.

Reklamë Ola

Një pjesë të veçantë të reagimit, Demo ia kushtoi Policisë së Shtetit, duke garantuar mbështetje të plotë për efektivët në ushtrimin e detyrës me profesionalizëm, ndershmëri dhe dinjitet. Sipas tij, investimet në teknologji, trajnim dhe përmirësimin e kushteve të punës do të synojnë ndërtimin e një policie edhe më profesionale dhe më pranë qytetarëve.

“Uniforma e shtetit do të ketë mbështetjen time maksimale, por gjithmonë e shoqëruar me një standard të panegociueshëm: ligji mbi gjithçka, partneritet me komunitetin dhe respekt absolut për qytetarin në çdo ndërveprim”, u shpreh Demo.

Reklamë InterMedika

Në përfundim, ai theksoi se objektivi i punës së tij do të jetë rritja e sigurisë, forcimi i shërbimeve ndaj qytetarëve dhe avancimi i standardeve të administrimit publik në rrugën e Shqipërisë drejt integrimit në Bashkimin Europian deri në vitin 2030.