Kryeministri Edi Rama mori pjesë në prezantimin e pesë projekteve të përzgjedhura në konkursin ndërkombëtar për “Tirana Fountain Tower”, projekti që synon transformimin e godinës së njohur si “Tajvani” në Parkun Rinia.
Në fjalën e tij, Rama tha se për projekte me ndikim të rëndësishëm në qytet është zgjedhur modeli i bashkëpunimit me profesionistë dhe studio me eksperiencë ndërkombëtare në planifikim urban, arkitekturë dhe ndërtim.
“Sot rikthehemi të bëjmë atë që dimë të bëjmë më mirë kur vjen puna te zhvillimi i projekteve me rëndësi të veçantë, që në Shqipëri ua besojmë profesionistëve me profile dhe me karriera të veçanta në fushën e planifikimit, të projektimit arkitektonik dhe të ndërtimit”, tha Rama.
Kryeministri u ndal edhe te historia e godinës së “Tajvanit”, duke kujtuar transformimet që zona e Parkut Rinia ka pësuar ndër dekada, nga periudha e komunizmit deri te zhvillimet e fillimviteve 2000.
Sipas tij, Tirana sot ka nevoja dhe ambicie të ndryshme nga ato të dekadave të mëparshme dhe kjo kërkon një tjetër konceptim të hapësirës.
“Sot jemi këtu për një zhvillim tjetër të asaj godine që ka nevojë të transformohet për të plotësuar nevojat e një qyteti që nuk është më ai që ishte në vitet ’50, as në fund të viteve ’70 dhe as në vitet e para 2000”, deklaroi Rama.
Kreu i qeverisë theksoi se bëhet fjalë për një investim privat në pronë private, por shtoi se pozicioni i godinës, në zemër të Parkut Rinia, e bën projektin me ndikim të drejtpërdrejtë në të gjithë hapësirën përreth.
“Është një projekt i sipërmarrjes private në një pronë private, por ndërtimi do të ketë një impakt të rëndësishëm në gjithë hapësirën përreth”, u shpreh ai.
Për këtë arsye, sipas Ramës, është zgjedhur zhvillimi i një konkursi ndërkombëtar për të pasur disa alternativa mbi mënyrën se si do të rikoncepitohet dhe rindërtohet godina.
Në garën për “Tirana Fountain Tower” janë pesë studio ndërkombëtare arkitekture:
Barozzi Veiga nga Spanja,
BIG – Bjarke Ingels Group dhe Cobe nga Danimarka,
l’AUC dhe JDSA – Julien De Smedt Architects nga Franca.


