Qeveria franceze u ka kërkuar platformave të tregtisë online, përfshirë Vinted dhe eBay, të heqin menjëherë njoftimet për shitjen e mallrave të grabitura gjatë trazirave të fundjavës.
Ministrja për Çështjet Digjitale, Anne Le Hénanff, deklaroi të hënën se platformat duhet të bashkëpunojnë me autoritetet për identifikimin dhe ndjekjen penale të personave që rishesin produkte të dyshuara si të vjedhura.
“Presim që këto platforma t’i heqin pa vonesë njoftimet në fjalë”, shkroi ajo në platformën X.
Për këtë çështje, ministrja dhe anëtarë të tjerë të kabinetit thirrën një takim me përfaqësues të Vinted, Amazon, eBay, Meta, TikTok dhe platformës franceze Leboncoin.
Ministri për Bizneset e Vogla, Serge Papin, tha se po punohet për koordinimin mes hetuesve dhe platformave, me qëllim identifikimin e personave pas njoftimeve të dyshimta. Sipas një burimi qeveritar të cituar nga POLITICO, pritet të hartohet një protokoll i posaçëm bashkëpunimi.
Vinted France deklaroi se shitja e mallrave të vjedhura dhe nxitja e blerjes së tyre janë rreptësisht të ndaluara në platformë. Kompania tha se ekipet e saj kanë ndërmarrë masa që prej fundjavës për identifikimin dhe heqjen e njoftimeve të dyshimta, si dhe kanë shtuar monitorimin.
Platformat e tjera nuk dhanë menjëherë komente, sipas POLITICO-s.
Çështja ka tërhequr edhe vëmendjen e Komisionit Europian. Zëdhënësi Thomas Regnier shprehu gatishmërinë e institucionit për ta shqyrtuar në bashkëpunim me autoritetet franceze.
Ndërkohë, kryeministri Sébastien Lecornu ka udhëzuar autoritetet vendore të vendosin ndalimqarkullime të pjesshme për të parandaluar grabitje dhe trazira të tjera.
Papin njoftoi gjithashtu krijimin e një fondi të posaçëm mbështetjeje për rreth 3 mijë biznese vendore që vlerësohet se janë prekur nga ngjarjet e fundjavës.


