Deputeti i Partisë Socialiste, Arbian Mazniku, deklaroi se kryeministri Edi Rama nuk ka ndërmend të japë dorëheqjen për shkak të protestave që kanë përfshirë prej shtatë ditësh kryeqytetin dhe zona të tjera.
I ftuar në emisionin “Opinion” me gazetarin Blendi Fevziu, Mazniku e krahasoi situatën në Shqipëri me protestat në Francë, Itali dhe Portugali.
Duke komentuar përplasjet mes protestuesve dhe forcave të rendit, ai tha se policia duhet të garantojë të drejtën e tubimit, ndërsa përdorimi i forcës në përgjigje të dhunës duhet të jetë proporcional.
“Protestuesit kanë të drejtë të protestojnë dhe policia është aty për të ruajtur të drejtën e tyre. Në rastin që ka përdorim të dhunës nga protestuesit, policia ka detyrim të përdorë dhunë proporcionale”, u shpreh Mazniku.
Deputeti socialist tha se rastet e tejkalimit nga punonjësit e policisë duhet të ndiqen dhe të shoqërohen me masa përkatëse.
“Nëse ka tejkalim, duhet ndjekur dhe të merren masat respektive”, deklaroi ai.
Mazniku mbrojti qëndrimin e përgjithshëm të Policisë së Shtetit, duke e cilësuar reagimin e saj më të përmbajtur se ndërhyrjet gjatë protestave në disa vende europiane.
“Parimi i përgjithshëm, policia është duke tentuar të mbajë proporcionalitetin”, tha ai.


