Kryeministri Edi Rama deklaroi se shteti ka monopolin e forcës në demokraci dhe se, sipas tij, ka të drejtë ta ushtrojë atë “në mënyrë joproporcionale”. Deklarata u bë gjatë një konference për shtyp me ministren e Arsimit, ku komentoi përplasjet gjatë protestave në Tiranë.
“Monopolin e forcës në demokraci e ka shteti. Vetëm shteti mund të ushtrojë forcë dhe ka të drejtë ta ushtrojë atë në mënyrë joproporcionale”, u shpreh Rama.
Kryeministri tha se rreth 200 punonjës policie dhe rreth 80 protestues janë lënduar. Ai i krahasoi këto shifra me të dhëna që paraqiti për protestat në vende të tjera europiane.
Sipas Ramës, në Spanjë kanë marrë ndihmë mjekësore në spital 883 protestues dhe 33 policë, ndërsa në Gjermani 130 protestues dhe 34 policë. Në fragmentin e deklaratës nuk përcaktohen periudhat apo ngjarjet të cilave u referohen këto shifra.
“Kjo është një listë e ushtrimit joproporcional të forcës nga ana e policisë dhe shtetit në raport me protestuesit”, deklaroi ai.
Rama pretendoi gjithashtu se një pjesë e personave të përfshirë në përplasje nuk janë studentë apo nxënës, por të rinj të maskuar, të paguar dhe të sjellë nga periferitë për të sulmuar policinë dhe për të krijuar frikë.
Në deklaratën e cituar, kryeministri nuk paraqiti prova për pretendimin se këta persona janë paguar.


