Elvana Gjata rrëfehet: Sakrificat, suksesi dhe ëndrra për t’u bërë nënë
Këngëtarja e njohur Elvana Gjata ka dhënë një intervistë të sinqertë në emisionin The Dalina Show, ku ka folur për karrierën, jetën personale dhe sfidat që e kanë formësuar ndër vite.
E pyetur për një rikthim të mundshëm në Festivalin e Këngës, ajo la gjithçka të hapur:
“Nga të dyja festivalet unë kam marrë 2 valixhe shumë të mira me mësime të cilat do t’i përdor për herën e tretë që nuk e di kur do jetë. Nuk e di se si do të vijë jeta. Nuk mund të them as që nuk dua të marr pjesë, as do marr pjesë. Nuk e di sinqerisht, do t’i lë gjërat të vijnë natyrshëm.”
Artistja foli hapur edhe për sakrificat që i ka kërkuar karriera, duke theksuar se mungesa pranë familjes është një nga “faturat” më të vështira:
“Një nga faturat më të shtrenjta që unë paguaj dhe një nga sakrificat më të mëdha që unë bëj në punën që bëj është të mos jem prezente aq sa do doja të isha prezente në jetët e njerëzve të mi më të shtrenjtë… kjo gjë më mundon shumë.”
Sa i përket përballimit të vështirësive, Elvana u shpreh se ka zgjedhur gjithmonë forcën e brendshme:
“Të gjitha momentet më të vështira të jetës time kam zgjedhur që t’i kaloj me veten… pa alkool, pa ilaçe… me forcën që kam gjetur brenda vetes time.”
Ajo shtoi se muzika është mënyra më e fortë për të shprehur emocionet:
“Mesazhet më të forta kam zgjedhur t’i jap përmes muzikës… e kam kthyer dhimbjen në karburant për artin tim.”
Duke folur për suksesin, këngëtarja theksoi se shpesh shoqëria e ka të vështirë të pranojë një grua të suksesshme dhe të pavarur ekonomikisht.
Për dashurinë, ajo u shpreh:
“Kur është e shëndetshme, të frymëzon dhe të bën më kreativ… dashuria nuk janë fjalët e bukura, por veprat.”
Elvana ndau gjithashtu rëndësinë që i jep stilit të jetesës së shëndetshëm, duke treguar se shpesh ndjek një regjim vegan.
Në fund, ajo zbuloi një dëshirë shumë personale: të bëhet nënë.
“Unë gjithmonë kam dashur që të kem fëmijë… është një ëndërr që dhe unë të kem bekimin që të kem një fëmijë në jetë.”







