Durrësi me rrjet të ri kanalizimesh, firmoset marrëveshja

10 Sep 2026 15:07
Shpërndaje:

Ministria e Financave dhe Agjencia Franceze për Zhvillim kanë nënshkruar marrëveshjen për financimin e rehabilitimit të rrjetit të kanalizimeve dhe përmirësimin e trajtimit të ujërave të ndotura në Durrës.

Programi ka një vlerë totale prej rreth 118.2 milionë eurosh. Bashkimi Evropian do të financojë rreth 85 milionë euro në formën e grantit, ndërsa 33.4 milionë euro do të sigurohen përmes një huaje nga Agjencia Franceze për Zhvillim.

Marrëveshja u nënshkrua nga ministri i Financave, Petrit Malaj, ambasadorja e Francës në Shqipëri, Catherine Suard, dhe drejtori i Përgjithshëm i AFD Group, Christophe Lecourtier.

Reklamë Ola

Projekti synon modernizimin e sistemit të kanalizimeve dhe rritjen e kapaciteteve për trajtimin e ujërave të ndotura. Investimi pritet të përmirësojë cilësinë e shërbimeve publike dhe të reduktojë ndotjen përgjatë bregdetit të Adriatikut.

Sipas drejtuesit të AFD Group, nga projekti do të përfitojnë më shumë se 400 mijë persona, përfshirë banorët dhe vizitorët që qëndrojnë në Durrës gjatë sezonit turistik.

Reklamë InterMedika

Përfaqësuesja e Bashkimit Evropian e cilësoi ndërhyrjen si investimin më të madh të realizuar deri më tani nga BE-ja në sektorin e mjedisit në Shqipëri. Fondi prej rreth 85 milionë eurosh do të sigurohet përmes Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor.

Bashkëpunimi do të vijojë edhe me fazën e dytë të programit, për të cilën Bashkimi Evropian parashikon një tjetër financim prej 52 milionë eurosh, kryesisht në formën e grantit.

Sipas palëve, investimi do të sjellë shërbime më cilësore për qytetarët, do të ndihmojë në mbrojtjen e mjedisit dhe do të mbështesë zhvillimin e qëndrueshëm të Durrësit.