Presidenti francez Emmanuel Macron dhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, i kanë bërë thirrje Evropës të forcojë industrinë e saj hapësinore dhe të reduktojë varësinë nga fuqitë e tjera.
Deklaratat u bënë gjatë ditës së dytë të samitit ndërkombëtar për hapësirën, i cili po zhvillohet në Grand Palais të Parisit dhe bashkëorganizohet nga Franca dhe Gjermania.
Macron e cilësoi industrinë hapësinore evropiane si “të brishtë”, duke kërkuar rritjen e kapaciteteve dhe krijimin e një sistemi të përbashkët qeverisjeje në nivel evropian.
Presidenti francez bëri të ditur se gjatë samitit pritet të nënshkruhen më shumë se 51 marrëveshje, të shoqëruara me investime me vlerë rreth 20 miliardë euro.
Nga ana tjetër, Ursula von der Leyen theksoi rëndësinë strategjike të hapësirës jo vetëm për kërkimin shkencor dhe ekonominë, por edhe për sigurinë dhe pavarësinë e Evropës.
Duke iu referuar luftës në Ukrainë, ajo deklaroi se aftësia për të hyrë dhe për të vepruar në hapësirë po bëhet gjithnjë e më e rëndësishme për mbrojtjen evropiane.
Sipas presidentes së Komisionit Evropian, komunikimet satelitore sigurojnë lidhjen ndërmjet ushtarëve, ndërsa imazhet nga satelitët mundësojnë zbulimin e lëvizjeve në terren në një distancë prej qindra kilometrash.
Samiti synon forcimin e bashkëpunimit evropian, tërheqjen e investimeve të reja dhe zhvillimin e kapaciteteve hapësinore që lidhen me teknologjinë, ekonominë dhe mbrojtjen.


