Qeveria prezantoi sot Programin e ri Kombëtar të Strehimit, i cili synon të lehtësojë sigurimin e një banese për familjet e reja, të rinjtë dhe shtresat në nevojë.
Kryeministri Edi Rama deklaroi se nisma nuk është thjesht një program financiar, por pjesë e një reforme strukturore që do të ndryshojë mënyrën se si trajtohet strehimi në Shqipëri.
“Është një reformë për të ndryshuar qasjen ndaj kësaj teme kaq të rëndësishme dhe gjithmonë e më të mprehtë, për shkak të vështirësive që hasin familjet e reja dhe të rinjtë në rrugën drejt marrjes së një shtëpie. Ky nuk është vetëm një problem shqiptar, por një problem i madh evropian”, tha Rama.
Sipas kryeministrit, reforma mbështetet në gjashtë programe të reja. Njëri prej tyre parashikon zgjerimin e banesave sociale me qira përmes ndërtimeve të reja, blerjeve të drejtpërdrejta në treg, përshtatjes së objekteve shtetërore ose të konfiskuara, bonusit të qirasë dhe partneritetit publik-privat.
“Do të përdorim të gjitha instrumentet për të garantuar një ofertë të gjerë për ata që kanë nevojë dhe mund të përfitojnë banesë sociale me qira”, deklaroi Rama.
Një tjetër program parashikon banesa me kosto të ulët përmes subvencionimit të kredive nga shteti. Reforma përfshin gjithashtu përmirësimin e banesave ekzistuese për grupet vulnerabël, investime në zonat informale dhe përshtatjen e objekteve për t’i kthyer në banesa sociale.
Kryeministri theksoi se synimi nuk është krijimi i blloqeve të veçuara vetëm për familjet e varfra, por ndërtimi i lagjeve të përbashkëta dhe dinjitoze për të gjitha shtresat.
“Personat më në nevojë do të kenë mbështetje më të madhe, ndërsa ata që kanë mundësi do të blejnë banesa. Cilësia është e rëndësishme për të gjithë”, tha ai.
Programi do të shoqërohet edhe me një organizim të ri institucional. Agjencia e Planifikimit të Territorit, Agjencia e Zhvillimit të Territorit, Enti Kombëtar i Banesave dhe bashkitë do të bashkëpunojnë si pjesë e një sistemi të vetëm.
Zbatimi do të nisë fillimisht në Tiranë, ndërsa po shqyrtohen edhe zona të tjera. Bashkitë janë ftuar të paraqesin propozimet e tyre.
Reforma parashikon gjithashtu banesa të përkohshme për familjet e prekura nga fatkeqësitë natyrore, si përmbytjet dhe zjarret.
“Duhet të kemi një sistem mikpritjeje për një periudhë të përkohshme për njerëzit e prekur nga fatkeqësitë”, u shpreh Rama.
Një program i posaçëm do të fokusohet edhe në ndërtimin dhe përshtatjen e banesave për familjet me persona me aftësi të kufizuara.


