Dita Ndërkombëtare e Monumenteve, 600 vizitorë vendas e të huaj zbulojnë thesaret e “Onufri”-it në Berat
Të shumtë ishin vizitorët në Ditën Ndërkombëtare të Monumenteve dhe Siteve, që zbuluan thesaret e Muzeut Kombëtar Ikonografik “Onufri” në Berat.
Siç pohoi drejtori i Qendrës Muzeore Berat, Miklor Pasku për ATSH-në ky muze, i cilësuar si një nga thesaret më të çmuara të trashëgimisë sonë kulturore u vizitua sot nga rreth 600 vizitorë vendas e të huaj.
Hyrja në muze sot në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Monumenteve dhe Siteve ka qenë pa pagesë, ndërsa vizitorët kanë pasur mundësinë të zbulojnë nga afër ikonat, historinë dhe shpirtin e një pasurie unike që i përket jo vetëm Beratit, por gjithë kulturës sonë.
Edhe gjatë këtij viti Muzeu Kombëtar Ikonografik “Onufri” është një ndër më të vizituarit në vend.
“Nga muaji janar deri tani ky muze është vizituar nga rreth 10 mijë vizitorë, ku veçanërisht muaji mars ka shënuar një rritje të numrit të vizitorëve prej 42% më shumë se një vit më parë”, tha Pasku.
Pasku theksoi se pjesa më e madhe e turistëve janë nga Gjermania, Italia, Spanja, Anglia, por këtë vit ka një dyfishim të vizitorëve vendas.
Muzeu i Ikonografisë “Onufri” ndodhet në ambientet e kishës “Fjetja e Shën Marisë”, në Kalanë e Beratit, prej 27 shkurtit të vitit 1986.
Muzeu mban emrin e Onufrit, kryemjeshtrit të pikturës ikonografike shqiptare në shekullin XVI.
Katedralja, sipas mbishkrimeve që mbart, rezulton të jetë rindërtuar në vitin 1797 mbi themelet e një kishe më të vjetër të periudhës bizantine. Ajo përfaqëson një nga arkitekturat më tipike pasbizantine në qytetin e Beratit. Koleksioni i muzeut përbëhet nga 196 ikona dhe objekte liturgjike.







