Lufta kundër korrupsionit, Gogu: Shqipëria do të përafrojë legjislacionin me standardet e BE-së

06 Nov 2026 • 13:40
Shpërndaje:

Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, ka deklaruar se Shqipëria do të vijojë përafrimin e legjislacionit kundër korrupsionit me standardet e Bashkimit Evropian, duke vënë theksin te forcimi i masave parandaluese, hetimet financiare dhe garantimi i pavarësisë së institucioneve të drejtësisë.

Deklaratat u bënë gjatë Forumit Ministror BE–Ballkani Perëndimor për Drejtësinë dhe Punët e Brendshme, që zhvillohet më 5–6 nëntor në Budva të Malit të Zi, ku ministri mori pjesë në sesionin kushtuar dimensionit gjyqësor të luftës kundër korrupsionit.

Gogu iu referua vlerësimit të fundit të Komisionit Evropian, i cili ka evidentuar përparimin e Shqipërisë në luftën kundër korrupsionit dhe rezultatet e Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), veçanërisht në çështjet që lidhen me korrupsionin e nivelit të lartë.

Reklamë Ola

Megjithatë, ministri theksoi se mbeten sfida të rëndësishme, përfshirë rritjen e efektivitetit të mekanizmave parandalues, nisjen më të hershme të hetimeve financiare dhe përmirësimin e procedurave që mundësojnë konfiskimin e pasurive kriminale, kur plotësohen kushtet ligjore.

Sipas tij, vlerësimet e Komisionit Evropian krijojnë përgjegjësi të drejtpërdrejta edhe për pushtetin ekzekutiv, i cili duhet të sigurojë kuadrin e nevojshëm ligjor dhe institucional për funksionimin e pavarur të organeve të drejtësisë.

Reklamë InterMedika

“Qeveritë mund të propozojnë ligje, të sigurojnë burime dhe të forcojnë institucionet. Ajo që nuk duhet të bëjnë kurrë është të ushtrojnë presion. Pavarësia është kushti që e bën llogaridhënien të besueshme”, deklaroi Gogu.

Ministri nënvizoi se pasojat e korrupsionit prekin drejtpërdrejt qytetarët dhe ekonominë, duke cenuar cilësinë e shërbimeve publike, konkurrencën e ndershme dhe besimin te institucionet.

Duke u ndalur te reformat në Shqipëri, Gogu theksoi se Strategjia Kundër Korrupsionit 2024–2030 synon adresimin e rreziqeve në sektorë të ndjeshëm, si prokurimet publike, shëndetësia dhe administrata tatimore.

Ai përmendi gjithashtu përparimin e reformave që lidhen me mbrojtjen e sinjalizuesve, parandalimin e konfliktit të interesit, rregullimin e lobimit dhe financimin politik.

Në kuadër të procesit të integrimit evropian, ministri deklaroi se Shqipëria mirëpret Direktivën (BE) 2026/1021 dhe do të punojë për përafrimin e legjislacionit penal dhe të kuadrit më të gjerë kundër korrupsionit me kërkesat e saj.

Tri përparësitë e propozuara për Ballkanin Perëndimor

Gjatë fjalës së tij, Gogu paraqiti edhe tri përparësi për forcimin e bashkëpunimit rajonal në luftën kundër korrupsionit.

Përparësia e parë lidhet me matjen e rezultateve konkrete të reformave, përmes treguesve të krahasueshëm ndërmjet vendeve të rajonit. Këta tregues mund të përfshijnë kohëzgjatjen e procedurave të ndihmës juridike të ndërsjellë dhe kalimin nga ngrirja e pasurive te konfiskimi i tyre. Sipas ministrit, një vlerësim i parë i përbashkët mund të paraqitet vitin e ardhshëm.

Përparësia e dytë është thellimi i bashkëpunimit operacional ndërmjet institucioneve ligjzbatuese, me synimin për të reduktuar vonesat në procedura, duke respektuar garancitë ligjore dhe të drejtat procedurale.

Ndërsa përparësia e tretë përqendrohet te investimi në burimet njerëzore, veçanërisht në formimin dhe ngritjen e kapaciteteve profesionale të gjyqtarëve, prokurorëve, hetuesve financiarë dhe administratorëve të pasurive të sekuestruara.

Në përfundim, ministri theksoi se suksesi i këtyre masave varet nga garantimi i pavarësisë së institucioneve përgjegjëse për hetimin dhe gjykimin e korrupsionit.

Forumi Ministror BE–Ballkani Perëndimor për Drejtësinë dhe Punët e Brendshme shërben si një platformë bashkëpunimi ndërmjet institucioneve evropiane dhe vendeve të rajonit për forcimin e shtetit të së drejtës, sigurisë dhe reformave në drejtësi.