Pse ka rëndësi rikonfirmimi i samitit të NATO-s në Tiranë?

07 Nov 2026 • 15:44
Shpërndaje:

Nga Fatos Çoçoli 

Rikonfirmimi tre ditë më parë nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, i zhvillimit të samitit vjetor të NATO-s për vitin 2027 në Tiranë është shumë më tepër sesa një ripohim diplomatik apo një vlerësim për pozicionin e Shqipërisë në Aleancën e Atlantikut Verior.

Ai përbën një ngjarje me rëndësi të veçantë politike, strategjike, ekonomike dhe gjeopolitike për vendin tonë. Për Shqipërinë, ky samit mund të shndërrohet në një prej momenteve më të rëndësishme të afirmimit të saj ndërkombëtar, që nga anëtarësimi në NATO më 1 prill 2009.

Reklamë Ola

Kur një organizatë si NATO, me 32 vende anëtare, me fuqinë më të madhe ushtarake dhe ekonomike të vendeve demokratike të botës, zgjedh dhe rikonfirmon Tiranën për të zhvilluar takimin e saj më të rëndësishëm politik, ky vendim ka domethënie të shumëfishtë. Ai është një vlerësim për Shqipërinë, por njëkohësisht edhe një mesazh për investitorët ndërkombëtarë, partnerët strategjikë dhe tregjet financiare.

Në thelb, Shqipëria merr një mundësi të jashtëzakonshme për të treguar se nuk është më vetëm një vend i vogël në periferinë juglindore të Evropës, por një faktor i besueshëm i sigurisë, bashkëpunimit dhe zhvillimit ekonomik në rajonin e Ballkanit Perëndimor, pavarësisht protestave të dhunshme në Tiranë më 13-26 tetor 2026.

Reklamë InterMedika

Pse është kaq i rëndësishëm rikonfirmimi i Mark Rutte?

Rëndësia e rikonfirmimit nga Mark Rutte qëndron së pari në peshën institucionale të figurës së tij. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s është një nga përfaqësuesit më të rëndësishëm të Aleancës dhe një ndër figurat që përcaktojnë drejtimet e saj politike dhe strategjike.

Rutte, ish-kryeministër i Holandës për 14 vite, njeh mirë zhvillimet politike dhe ekonomike të Evropës dhe ka qenë dëshmitar i transformimit të Shqipërisë në rrugën e saj euroatlantike.

Rikonfirmimi i Tiranës si vendi organizator i samitit të vitit 2027 është një sinjal se Aleanca e konsideron Shqipërinë një partner të besueshëm dhe një vend të përshtatshëm për të pritur udhëheqësit e vendeve anëtare në një periudhë kur siguria evropiane po përballet me sfida të jashtëzakonshme.

Duhet kuptuar se organizimi i një samiti të tillë nuk është thjesht çështje infrastrukture, hotelerie apo kapacitetesh pritëse. Ai kërkon besueshmëri institucionale, siguri të lartë, koordinim ndërkombëtar dhe aftësi për të menaxhuar një aktivitet me përmasa të jashtëzakonshme politike dhe logjistike.

Pikërisht këtu qëndron vlera e përzgjedhjes së Shqipërisë.

Një çertifikatë ndërkombëtare besueshmërie për investitorët e huaj

Në ekonominë moderne, investimet e huaja nuk përcaktohen vetëm nga niveli i taksave, kostoja e fuqisë punëtore apo mundësitë e fitimit. Një faktor gjithnjë e më i rëndësishëm është siguria politike dhe gjeostrategjike e vendit ku investohet.

Investitorët e mëdhenj kërkojnë të dinë nëse vendi ku vendosin kapitalet e tyre është politikisht i qëndrueshëm, nëse ka aleanca të forta ndërkombëtare, nëse është i mbrojtur nga rreziqet gjeopolitike dhe nëse ka perspektivë të qartë integrimi ekonomik.

Në këtë kuptim, Samiti i NATO-s në Tiranë për vitin 2027 përbën një instrument të fuqishëm promovimi ekonomik.

Një investitor nga Gjermania, Franca, Holanda, SHBA-ja, Italia apo vendet skandinave, kur sheh se Shqipëria është zgjedhur për të pritur Presidentët dhe Kryeministrat e vendeve të NATO-s, merr një sinjal pozitiv për pozicionimin ndërkombëtar të vendit.

Për një ekonomi si e jona, që ka nevojë si për oksigjenin, për kapital të huaj, teknologji të reja, vende pune më të paguara dhe diversifikim të prodhimit, ky është një përfitim që nuk duhet nënvlerësuar.

Përfitime të drejtpërdrejta për turizmin dhe hotelerinë

Shqipëria ka përjetuar një rritje të konsiderueshme të turizmit ndërkombëtar në vitet e fundit. Organizimi i Samitit të NATO-s mund t’i japë këtij sektori një dimension të ri: turizmin e biznesit, konferencave dhe aktiviteteve ndërkombëtare.

Për dy ose tri ditë, Tirana do të jetë në qendër të vëmendjes së mediave ndërkombëtare dhe të mijëra përfaqësuesve të institucioneve, biznesit dhe diplomacisë.

Përfitimet do të përfshijnë rritjen e kërkesës për hotele të kategorive të larta, shtimin e aktivitetit të restoranteve dhe shërbimeve gastronomike, më shumë kontrata për transportin, logjistikën dhe shërbimet turistike, si dhe promovimin e Shqipërisë si destinacion për konferenca ndërkombëtare.

Por përfitimi më i madh nuk duhet matur vetëm me të ardhurat që do të gjenerohen gjatë ditëve të samitit. Vlera e vërtetë ekonomike qëndron në mundësinë që Tirana të pozicionohet si një qendër rajonale e konferencave, diplomacisë ekonomike dhe takimeve të biznesit, pavarësisht nga shkatërrimet në qendrën e saj për gati dy javë, nga protestat e dhunshme.

Nëse këtë mundësi do ta shfrytëzojmë si duhet, efektetpozitive  mund të na zgjasin për shumë vite pas vitit 2027.

Një mundësi për të tërhequr investime në industrinë e mbrojtjes

Një tjetër përfitim i rëndësishëm lidhet me zhvillimin e industrisë së mbrojtjes.

NATO po kërkon nga vendet anëtare rritjen e kapaciteteve të tyre mbrojtëse, modernizimin e ushtrive dhe zhvillimin e industrive strategjike.

Për Shqipërinë, kjo do të krijojë mundësi të reja për bashkëpunim me kompani ndërkombëtare në fusha të tilla,  si prodhimi dhe mirëmbajtja e pajisjeve ushtarake, teknologjitë e komunikimit dhe sigurisë. sistemet e mbrojtjes kibernetike, pajisjet elektronike ushtarake dhe sistemet e monitorimit, si dhe trajnimi profesional dhe kërkimi shkencor në mbrojtje.

Shqipëria ka mundësi të tërheqë investitorë që kërkojnë të zhvillojnë kapacitete prodhuese apo shërbimi në një vend anëtar të NATO-s. Kjo do të ishte veçanërisht e rëndësishme për krijimin e vendeve të reja të punës me kualifikim të lartë dhe paga më konkurruese për industrinë tonë ushtarake.

Efekti i samitit në rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian

Një aspekt tjetër i rëndësishëm është lidhja ndërmjet afirmimit të Shqipërisë në NATO dhe procesit të saj të integrimit evropian, pas daljes së dokumentit të Udhërrëfyesit të Komisionit Evropian për Shqipërinë dy ditë më parë.

Dhe pse NATO dhe Bashkimi Evropian janë dy organizata të ndryshme, ekziston një lidhje e rëndësishme politike dhe strategjike. Një Shqipëri që dëshmon se është një aleate e besueshme e NATO-s, që kontribuon në sigurinë kolektive dhe që merr përsipër organizimin e një aktiviteti të tillë, forcon profilin e saj si partner i sigurtë evropian.

Kjo është veçanërisht e rëndësishme në një periudhë kur Bashkimi Evropian po i kushton vëmendje të shtuar sigurisë, mbrojtjes dhe integrimit të Ballkanit Perëndimor.

Për vendin tonë, samiti është një mundësi për të treguar se integrimi evropian nuk është vetëm një objektiv politik, por edhe një proces transformimi të thellë institucional dhe ekonomik.

Një mundësi për të forcuar imazhin e Shqipërisë në SHBA dhe Evropë

Në marrëdhëniet ndërkombëtare, imazhi i një vendi ka vlerë ekonomike. Vendi ynë sot ka nevojë të shihet jo vetëm si vendi i revolucionit të paqartë të flamingove, por të njihet më shumë, përtej turizmit bregdetar, pasurive natyrore dhe mundësive të investimit në pasuri të paluajtshme.

Ajo duhet të promovohet si një vend ku mund të zhvillohen industri moderne, shërbime financiare, teknologji informacioni, energji e rinovueshme, bujqësi e përpunuar dhe shërbime të specializuara.

Edhe nëse nuk vjen Presidenti Trump, samiti i NATO-s i qershorit 2027 do të sjellë në Tiranë udhëheqësit e vendeve më të fuqishme të botës demokratike. Do të jetë një rast i rrallë për të zhvilluar takime dypalëshe dhe për të promovuar mundësitë ekonomike të Shqipërisë.