Rama: Negociatat synojmë t’i mbyllim në 2027, anëtarësimi varet nga 27 vendet

03 Nov 2026 • 15:40
Shpërndaje:

Kryeministri Edi Rama deklaroi se Shqipëria po punon për të përmbyllur negociatat e anëtarësimit në Bashkimin Evropian deri në fund të vitit 2027, sipas një plani të përbashkët me Komisionin Evropian.

Gjatë intervistës me gazetaren Maria Tadeo në Samitin e Euronews për Zgjerimin, Rama bëri dallimin mes përmbushjes së detyrimeve të Shqipërisë dhe vendimit politik për pranimin në BE, i cili kërkon dakordësinë e të gjitha shteteve anëtare.

“Nëse vijojmë kështu, do t’i përmbyllim negociatat sipas kalendarit të përcaktuar dhe kjo do të tregonte se ne e kemi bërë punën tonë”, u shpreh ai.

Reklamë Ola

Për fazën e vendimmarrjes politike, kryeministri përdori një krahasim: “Janë 27 mjekë që duhet të bien dakord për një pacient”.

“Kam parë afate që janë fashitur rrugës”

Reklamë InterMedika

Rama u tregua i kujdesshëm ndaj parashikimeve për datën e anëtarësimit. Ai tha se gjatë viteve ka parë raste kur BE-ja nuk i ka realizuar premtimet brenda afateve, por edhe raste kur ka vepruar më shpejt nga sa pritej.

Sipas tij, objektivi ku është përqendruar qeveria mbetet përfundimi i negociatave në vitin 2027, me mbështetjen e Komisionit Evropian.

“Ajo që është fakt është se ne po punojmë shumë fort me një plan të përbashkët, një plan të mbështetur plotësisht nga Komisioni Evropian, për t’i përmbyllur negociatat në fund të vitit 2027”, deklaroi Rama.

Pranon problematikat: Reformat duhen bërë për veten tonë

I pyetur për gjetjet e progresraportit të Komisionit Evropian, kryeministri pranoi se Shqipëria ka ende probleme dhe nuk është gati për anëtarësim me të drejta të plota.

Ai theksoi se procesi i negociatave shërben pikërisht për përmbushjen e kushteve dhe transformimin e institucioneve.

“Ky është procesi më efikas dhe më transformues. Ne duhet ta bëjmë këtë për hir të vetes sonë dhe të fëmijëve tanë. Ne kemi probleme dhe po punojmë për zgjidhjen e tyre”, tha ai.

Rama e cilësoi Bashkimin Evropian si një busull për reformat, duke theksuar rëndësinë e përvojës dhe njohurive që ofron për arritjen e standardeve europiane.