Kancelari gjerman Friedrich Merz bëri thirrje për përshpejtimin e zhvillimit të inteligjencës artificiale në Gjermani dhe Europë, duke e cilësuar atë thelbësore për konkurrueshmërinë ekonomike dhe pavarësinë teknologjike.
Gjatë Samitit Digjital në Berlin, Merz tha se Europa duhet të veprojë më shpejt në zhvillimin dhe përdorimin praktik të teknologjive të reja, me synimin për të zvogëluar varësinë nga Shtetet e Bashkuara dhe Kina.
Strategjia e paraqitur mbështetet në dy drejtime: zgjerimin e menjëhershëm të përdorimit të IA-së në industri dhe biznese, si dhe forcimin afatgjatë të kërkimit për modelet e reja.
Partneritete me Francën dhe Kanadanë
Merz veçoi bashkëpunimin me Francën dhe Kanadanë si një rrugë për të forcuar kapacitetet teknologjike, krahas diversifikimit të zinxhirëve të furnizimit.
Sipas tij, inteligjenca artificiale do të ndryshojë ndjeshëm tregun e punës dhe do të rrisë produktivitetin. Ai argumentoi se zhvillimi i saj nuk duhet të pengohet nga frika e rreziqeve, por të udhëhiqet nga vlerat njerëzore dhe kërkesat e sigurisë.
Objektivat për vitin 2030
Qeveria gjermane synon që deri në vitin 2030 vendi të shndërrohet në një “Komb të Inteligjencës Artificiale”. Plani parashikon që të paktën 80% e ndërmarrjeve të mëdha dhe 55% e bizneseve të vogla e të mesme të përdorin këtë teknologji.
Objektiva të tjerë përfshijnë trefishimin e numrit të sipërmarrjeve të reja në sektor dhe rritjen e kontributit të IA-së në ekonominë gjermane mbi 10%.
Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se Gjermania rrezikon të mbetet pas SHBA-së dhe Kinës. Sipas raportit të grupit të punës për inteligjencën artificiale, 12 deri në 18 muajt e ardhshëm do të jenë vendimtarë për ngushtimin e hendekut teknologjik dhe forcimin e pozicionit të vendit në garën globale.


