Besimtarët myslimanë festojnë Kurban Bajramin, falje dhe solidaritet në të gjithë vendin
Besimtarët myslimanë në Shqipëri festojnë sot Kurban Bajramin, një nga festat më të rëndësishme të fesë islame, e cila simbolizon sakrificën, përkushtimin dhe solidaritetin mes njerëzve.
Që në orët e para të mëngjesit, besimtarët i janë drejtuar xhamive në të gjithë vendin për të falur Namazin e Bajramit. Në Tiranë, qindra qytetarë u mblodhën në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, si dhe në xhamitë kryesore të kryeqytetit, për të kryer ritin e faljes në një atmosferë përkushtimi dhe bashkimi.
Kjo festë e shenjtë për besimtarët myslimanë përcjell mesazhe të forta shpirtërore dhe sociale. Ajo simbolizon bindjen dhe besimin ndaj Zotit, si dhe gatishmërinë për sakrificë në emër të Tij. Në të njëjtën kohë, Kurban Bajrami nxit solidaritetin dhe ndihmën ndaj atyre në nevojë, duke i dhënë kësaj dite një dimension të rëndësishëm human.
Sipas traditës islame, në këtë ditë theret një kurban, zakonisht një dash ose dele, si simbol i sakrificës. Mishi ndahet mes familjes, miqve dhe personave në nevojë, në mënyrë që gëzimi i festës të jetë i përbashkët për të gjithë.
Riti i faljes së Bajramit përbëhet nga dy pjesë kryesore: lutja kolektive dhe më pas predikimi, përmes të cilit përcillen mesazhe paqeje, shprese dhe besimi.
Kurban Bajrami mbetet një nga momentet më të rëndësishme për komunitetin mysliman, duke rikujtuar vlerat e besimit, sakrificës dhe solidaritetit në shoqëri.







