Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Europës, Alain Berset, ka reaguar ndaj protestave në disa vende europiane, përfshirë Shqipërinë, duke paralajmëruar kundër një përgjigjeje të mbështetur vetëm te masat e sigurisë.
Në një postim në platformën X, Berset përmendi Parisin, Milanon, Brukselin dhe Tiranën, duke renditur mes shkaqeve të pakënaqësisë pabarazinë, arsimin, strehimin, mungesën e perspektivës dhe ndjesinë se zëri i qytetarëve nuk dëgjohet.
Ai vuri në dukje se protestat paqësore janë shoqëruar edhe me akte dhune, sulme ndaj ndërtesave publike, grabitje dyqanesh dhe të lënduar nga të gjitha palët.
Sipas Berset, dhuna dëmton në radhë të parë qytetarët që protestojnë paqësisht, pasi humbet mesazhi i kërkesave të tyre.
“Zemërimi u përket atyre. Nuk duhet të bëhet mjet politik i askujt. Ai meriton një përgjigje”, shkroi kreu i Këshillit të Europës.
Berset paralajmëroi se përqendrimi vetëm te siguria rrezikon të ndryshojë mënyrën se si institucionet demokratike u përgjigjen pakënaqësive shoqërore.
“Tundimi tani do të jetë të përgjigjemi vetëm me masa sigurie. Kështu, siguria demokratike rrëshqet drejt një demokracie të udhëhequr nga logjika e sigurisë”, u shpreh ai.
Në përfundim, Berset theksoi se çështjet e ngritura nga protestuesit janë tashmë në qendër të Paktit të Ri Demokratik për Europën.


