Burnham: Britania do të mbrojë Ishujt Falkland, qëndrimi ynë nuk do të ndryshojë kurrë

09 Sep 2026 19:13
Shpërndaje:

Kryeministri britanik Andy Burnham ka përsëritur angazhimin e Mbretërisë së Bashkuar për mbrojtjen e Ishujve Falkland, duke deklaruar se qeveria e tij do të respektojë të drejtën e banorëve për të zgjedhur të mbeten britanikë.

Gjatë seancës së përjavshme të pyetjeve për kryeministrin në Parlament, Burnham theksoi se qëndrimi i Londrës ndaj ishujve nuk do të ndryshojë nën drejtimin e tij.

“Ne do ta respektojmë gjithmonë të drejtën e banorëve të Ishujve Falkland për të zgjedhur të jenë britanikë”, u tha Burnham ligjvënësve.

Reklamë Ola

Ai shtoi se ky qëndrim “nuk do të ndryshojë kurrë”, duke deklaruar se Britania do të jetë “e palëkundur në mbrojtjen e tyre”.

Deklaratat erdhën pas kritikave të udhëheqëses së Partisë Konservatore, Kemi Badenoch, e cila akuzoi qeverinë se po tregohet e dobët përballë pretendimeve ndaj territoreve nën sovranitetin britanik.

Reklamë InterMedika

“Vende të tjera po ngrenë pretendime mbi territorin tonë sovran. Ato e nuhasin dobësinë”, deklaroi Badenoch, duke iu referuar edhe debatit për Ishujt Chagos në Oqeanin Indian.

Në përgjigje, Burnham këmbënguli se Mbretëria e Bashkuar nuk do të heqë dorë nga baza ushtarake Diego Garcia dhe bëri të ditur se Londra është në bisedime me Shtetet e Bashkuara për këtë çështje.

Vitin e kaluar, Mbretëria e Bashkuar dhe Mauritiusi nënshkruan një marrëveshje për transferimin e sovranitetit të arkipelagut Chagos te Mauritiusi, duke i dhënë fund më shumë se dy shekujve të sundimit britanik.

Sipas marrëveshjes, SHBA-ja dhe Mbretëria e Bashkuar do të mund të vazhdojnë operimin e bazës ushtarake Diego Garcia për 99 vitet e ardhshme. Baza konsiderohet me rëndësi të madhe strategjike për operacionet ushtarake britanike dhe amerikane në Oqeanin Indian dhe më gjerë.

Marrëveshja, megjithatë, ende nuk ka hyrë në fuqi dhe mbetet në pritje të ratifikimit të brendshëm. Ajo kundërshtohet nga Maldivet, të cilat kanë ngritur pretendime lidhur me sovranitetin mbi territorin.

Presidenti i Maldiveve, Mohamed Muizzu, i ka kërkuar së fundmi Burnhamit zhvillimin e bisedimeve për çështjen e sovranitetit të Ishujve Chagos.

Përplasja në Parlament rikthen në vëmendje politikën britanike ndaj territoreve të saj përtej detit, ndërsa Burnham kërkoi të bëjë një dallim të qartë mes marrëveshjes për Chagos dhe qëndrimit të Londrës ndaj Falklandit, duke këmbëngulur se e drejta e banorëve të ishujve për të përcaktuar të ardhmen e tyre do të mbrohet nga qeveria britanike.