Rama: Drejtimi i Tiranës pa kryetar, eksperiment i dështuar

10 Sep 2026 16:25
Shpërndaje:

Kryeministri Edi Rama e ka cilësuar drejtimin e Bashkisë së Tiranës pa kryetarin e saj si një “eksperiment social, ligjor, politik dhe ekonomik” të dështuar.

Sipas tij, arrestimi i kryebashkiakut dhe drejtimi i institucionit nga burgu kanë shkaktuar vonesa në përfundimin e procesit të rindërtimit pas tërmetit, veçanërisht në zonat e Kombinatit dhe “5 Maji”.

“Do të finalizojmë shumë shpejt planin për t’i dhënë fund historisë së pajustifikueshme të zvarritjes së rindërtimit, nga Kombinati deri te ‘5 Maji’”, deklaroi Rama.

Reklamë Ola

Kreu i qeverisë u shpreh se familjet që vazhdojnë të presin marrjen e banesave të reja janë ndër më të prekurat nga situata e krijuar në Bashkinë e Tiranës.

“Që kur Bashkisë së Tiranës iu pre koka, për arsyet që dihen dhe për mosarsyet që nuk dihen, viktimat e para dhe më të pafajshme të kësaj kohe të humbur janë familjet që presin t’u jepet çelësi, pasi janë viktima të tërmetit”, tha ai.

Reklamë InterMedika

Rama e cilësoi situatën të paprecedentë për një vend evropian, duke iu referuar edhe praktikës së Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg.

“Heqja e kokës së kryeqytetit dhe eksperimenti i drejtimit të tij pa kokë kanë sjellë shumë viktima dhe dëme kolosale. Është një eksperiment social i rëndë dhe totalisht i dështuar”, përfundoi kryeministri.