Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, njoftoi vendosjen e fluturimeve të drejtpërdrejta ndërmjet Luksemburgut dhe Tiranës nga kompania ajrore Luxair.
Linja e re do të nisë më 29 mars 2027 dhe do të funksionojë gjatë gjithë vitit, me dy fluturime në javë, çdo të hënë dhe të premte.
Sipas Hoxhës, kjo do të jetë lidhja e parë e rregullt ajrore direkte ndërmjet Luksemburgut dhe Shqipërisë.
“Një tjetër kompani ajrore evropiane vjen në Shqipëri. Kjo lidhje e re dhe e mirëpritur mes dy vendeve tona do t’i afrojë edhe më shumë njerëzit, bizneset dhe komunitetet tona”, shkroi ministri në platformën X.
Vendosja e linjës ishte diskutuar më herët gjatë vizitës së Hoxhës në selinë e Luxair, më 21 prill. Në takimin me drejtorin ekzekutiv të kompanisë, Gilles Feith, palët shqyrtuan mundësinë e krijimit të fluturimeve direkte ndërmjet Luksemburgut dhe Tiranës.


