Gjermania mbështet fuqishëm anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, por ritmi i procesit do të varet nga zbatimi i reformave, forcimi i shtetit të së drejtës dhe lufta kundër korrupsionit.
Në një intervistë për Deutsche Welle, ambasadori gjerman në Tiranë, Karl Bergner, vlerësoi përparimin e Shqipërisë, por theksoi se vendi ka ende detyra të rëndësishme përpara.
Sipas tij, synimi i qeverisë shqiptare për përfundimin e negociatave deri në fund të vitit 2027 është ambicioz, ndërsa anëtarësimi duhet të mbështetet te meritat dhe rezultatet konkrete.
“Afatet varen nga shpejtësia dhe tërësia e reformave. Shqipëria ka bërë përparim të prekshëm, por mbeten ende detyra të rëndësishme”, deklaroi Bergner.
Ambasadori e cilësoi reformën në drejtësi si një faktor kyç për avancimin e Shqipërisë në procesin e integrimit. Ai nënvizoi se pavarësia e gjyqësorit dhe lufta e papenguar kundër korrupsionit, përfshirë rastet në nivelet e larta, janë kushte të panegociueshme.
“Ndryshimi i ligjeve nuk mjafton. Bashkimi Evropian dhe qytetarët shqiptarë presin ndryshime reale dhe të prekshme në praktikë”, tha ai.
Bergner përmendi gjithashtu nevojën për miratimin e një ligji të unifikuar për investimet, i cili do të zëvendësonte ligjin aktual për investimet strategjike. Sipas tij, kjo do të garantonte më shumë transparencë dhe kushte të barabarta konkurrence për bizneset.
Ambasadori theksoi se Gjermania mbetet donatori më i madh dypalësh i Shqipërisë, duke mbështetur projekte në infrastrukturë, energji, trajtimin e ujërave të ndotura, menaxhimin e mbetjeve dhe zhvillimin ekonomik.
Ai vlerësoi edhe rritjen e interesit të qytetarëve gjermanë për Shqipërinë si destinacion turistik, si dhe rolin e diasporës shqiptare në forcimin e lidhjeve ekonomike dhe kulturore mes dy vendeve.


